Gazeta Si – Xhuljano Hoxha, 30-vjeç, është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi akuzohet si pjesë e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve.
Sipas njoftimit të policisë, Hoxha pritet që të ekstradohet në Shqipëri, pasi ndaj tij GJKKO ka caktuar më 22 prill të këtij viti masën e sigurisë “arrest në burg” për kultivim droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Nga hetimet dyshohet se i riu është pjesëtar i grupit kriminal që ka kutivuar bimë narkotike në sera, në fshatin Drenovicë të Beratit në vitin 2022.
Sipas SPAK, organizimi i kultivimit të drogës ka nisur në dhjetor të vitit 2021 dhe është shtrirë gjatë periudhës qershor-nëntor të vitit 2022. Nga ky aktivitet rezulton të jenë përftuar në total rreth 1.8 ton kanabis.
SPAK ka evidentuar se organizimi, drejtimi dhe financimi i serave bëhej nga Blerim Xheka dhe Sadetin Hasaj.
Si mbikëqyrës të punës, sipas SPAK, ishin Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj dhe Mirvaldo Disha.
Për të mbrojtur kultivimin e kanabisit ata mbanin armë pa leje. Sipas akuzës kishin instaluar linja elektrike dhe furnizim me ujë, përmes një pompe thithëse që furnizohej nga një kanal vaditës përballë serave.
Tokat ishin marrë me qira nga Hamdi Dyli dhe Arben Vrapi dhe familjarë të tyre përmes kontratave. 17 të pandehur që akuzohen nga SPAK, mësohet se kishin ngritur infrastrukturën duke marrë me qira edhe banesa afër serave, për të qenë më afër aktivitetit ditor.
Këto banesa do të shërbenin edhe për shitjen e kanabisit pasi të përfundonte prodhimi. Për këtë çështje SPAK ka kthyer dosjen në prokurorinë e Beratit për 93 gra, të cilat punonin në 4 serat, në zonën e Rërës, Drenovicë, në një hapësirë toke nga 10 deri në 27 dynym. Në këtë sipërfaqe policia gjeti 769 arka plastike, dhe 11 thasë brenda të cilave u gjetën dhe armë zjarri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



