Para

Në 2024 pagat në Shqipëri u ulën, privati s’kap dot shtetin

Nga Gazeta 'SI' - Paga mesatare bruto në Shqipëri ra me 2% në fillim të 2024-s. INSTAT raporton se paga ishte 73.641 lekë në fund të marsit 2023, nga 75.025 që ishte në fund të dhjetorit 2023.

Pagat në shtet u ulën me 3.2% në tremujorin e parë në krahasim me fundin e vitit dhe ato në privat me rreth 1%.

Sipas shpjegimit, rënia lidhet me bonuset dhe shpërblimet që jepen në fund të vitit, të cilat llogariten si pagë dhe kur raportohet në fund të tremujorit rezulton më e lartë. Në fillim të tremujorit tjetër paga i kthehet normalitetit dhe pasqyron rritjen reale.

Në raport vjetor paga mesatare bruto është rritur me 14% dhe kjo i atribuohet rritjes në shtet, që në një vit është rritur me 11 mijë lekë, ndërsa ajo në privat, më pak se 8 mijë lekë

Të dhënat tregojnë se sektori financiar dhe ai i teknologjisë e komunikimit ka pagat më të larta mesatare, specifikisht 133 mijë dhe 111 mijë lekë në muaj.

Bujqësia ka mbetur me një pagë më të vogël se 50 mijë lekë në muaj dhe me një rritje vjetore minimale. Ndërtimi po ashtu është një ndër sektorët me pagë të ulët, 58 mijë lekë dhe me ecuri të ngadaltë. Gjithsesi, të dy këto sektorë dominohen nga informaliteti dhe mosdeklarimi i të ardhurave, që e bën pagën e raportuar më të ulët se ajo reale.

Këtë muaj pritet që të finalizohet reforma e pagës ‘900 euro’, ku me vendim qeverie, pagat e administratës publike do të indeksohen sipas kategorive, ku do të jenë mjekët dhe mësuesit përfituesit më të mëdhenj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë