Njerez

Në Europë, Shqipëria ka konsumin më të ulët të lajmeve në internet

Nga Gazeta ‘SI’ – Rreth 58% e shqiptarëve të grupmoshës 16-74 vjeç, e kanë përdour internetin për të lexuar dhe për t’u informuar, gjatë tremujorit të parë vitit të shkuar. Kjo është shifra më e ulët në rajon dhe në të gjithë vendet e Europës. Në Serbi, pothuajse 80% e të njëjtës grupmoshë e përdor internetin për lexim apo lajme. Mbi 80% në Mal të ZI, mbi 70% në Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë. Për Kosovën nuk ka një tregues të tillë.

Arsyeja kryesore e përdorimit të internetit nga shqiptarët është muzika. 62% e tyre e kanë përdorur për këtë qëllim internetin gjatë të njëjtës periudhë. Statistikë më e lartë se në vende e rajonit. 55% e tyre e kanë përdorur internetin për të parë video online dhe më pak se 30% për të luajtur lojëra.

Eurostat thekson se informimi online ishte shumë pak i zakontë midis grupmoshës 16-24 vjeç dhe më shumë i përhapur në grupmoshën 25-54 vjeç. Ky është një tregues që lidhet dhe me edukimin e përdoruesve sipas raportit. 85% e individëve të arsimuar në Europë dhe me të ardhura më të larta, e përdorën internetin për t’u informuar. Ata me nivel më të ulët arsimor, e përdorin internetin për aksesin e lojërave.

Në të gjithë Europën, aktiviteti i preferuar për përdoruesit e internetit ishte streaming, shikimi i filmave, videove, produksioneve vizuale, sidomos nga studentët, 98% e tyre.

Ndër vendet anëtare të BE-së, përqindjet më të larta të përdoruesve të internetit që lexojnë lajme në internet raportohen në Finlandë, 93%, Lituani dhe Çeki, të dyja 92% dhe Kroaci dhe Greqi, të dyja 90%. Përdorimi më i ulët u raportua në Rumani, 59%, Gjermani 62%, Francë, 63%, Itali, 64% dhe Belgjikë, 67%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë