Nga Gazeta “SI” -Peshkopja Episkopale e Uashingtonit Mariann Budde ka bërë një apel të drejtpërdrejtë ndaj Donald Trump gjatë shërbesës së lutjeve inaguruese, për të “pasur mëshirë” për komunitetet në mbarë vendin, të cilët janë shënjestruar nga politikat e reja të administratës mbi imigracionin dhe të drejtat LGBTQ+.
“Ka fëmijë homoseksualë, lezbike dhe transgjinorë në familje Demokratike, Republikane dhe të pavarura, disa prej të cilëve kanë frikë për jetën e tyre,” tha Mariann Budde, ndërsa Trump qëndronte në rreshtin e parë, përkrah Melania Trump dhe JD Vance.
“Ju e keni ndjerë dorën providenciale të një Zoti të dashur,” tha ajo, një referencë e dukshme ndaj fjalimit inagurues të Trump-it, ku ai deklaroi se Zoti e kishte shpëtuar nga një plumb vrasës për të “bërë Amerikën të madhe përsëri”.
Budde në fjalim foli dhe për emigracionin duke shënjëstruar sërish një pikë të nxehtë të politikave të Trump.
“Shumica dërrmuese e emigrantëve nuk janë kriminelë. Ata paguajnë taksa dhe janë fqinjë të mirë. Ata janë anëtarë besnikë të kishave, xhamive dhe sinagogave tona . Zoti ynë na mëson se duhet të jemi të mëshirshëm ndaj të huajve, sepse dikur edhe ne ishim të huaj në këtë tokë. Në emër të Zotit tonë, ju kërkoj të tregoni mëshirë ndaj njerëzve të vendit tonë që tani janë të frikësuar.” tha Budde.
I pyetur më vonë për predikimin, i cili përbënte një kritikë të guximshme publike ndaj presidentit të ri, Trump u tha gazetarëve se ai ishte “jo emocionues”.
“Nuk mendova se ishte një shërbesë e mirë, jo,” tha ai ndërsa hynte në Shtëpinë e Bardhë të martën. “Ata mund të bënin shumë më mirë.”
Të mërkurën, Trump shkoi më tej, duke shkruar në platformën e tij Truth Social:
“E ashtuquajtura Peshkope që foli në Shërbesën Kombëtare të Lutjes të martën në mëngjes ishte një radikale e majtë dhe urrejtëse e Trump-it. Ajo ishte e pasjellshme në ton dhe jo e bindshme apo e zgjuar… Ajo dhe kisha e saj i kanë borxh publikut një kërkimfalje!”- shkruante Trump.
Shërbesa e së martës në mëngjes përfshinte lutje për suksesin e administratës së re, por ajo mori një kthesë më të mprehtë dhe politike kur Budde u ngrit për të mbajtur fjalimin.
Budde ka pasur përplasje me Trump-in edhe më parë, gjatë mandatit të tij të parë si president. Në vitin 2020, ajo shprehu zemërim për paraqitjen e Trump-it përpara kishës Episkopale të Shën Gjonit në Uashington, ku ai ngriti një Bibël pas përdorimit të forcës nga oficerët federalë për të shpërndarë protestuesit paqësorë që demonstronin për vdekjen e George Floyd-it në vitin 2020.
Rituali i presidentit në Kishën Episkopale, veçanërisht në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, është një traditë që buron nga roli historik i kishës në jetën publike dhe politike të Shteteve të Bashkuara. Katedralja Kombëtare është një vend i rëndësishëm simbolik dhe shpirtëror për kombin dhe ka shërbyer si një hapësirë ku mund të zhvillohen momente të mëdha të Unitetit kombëtar dhe reflektimit moral.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.