Mendim

Në emër të popullit!

Nga Irena Beqiraj – Në emër të popullit në vitin 1996, zgjedhjet u fituan plot 96% vetëm nga një parti.
Në emër të popullit në 2009-ën partia humbëse u fut në grevë urie në mes të Bulevardit, me një kërkesë të vetme “Hapni kutitë dhe rinumëroni votat!”. Në emër të popullit, kjo kërkesë nuk u pranua kurrsesi nga partia fituese.
Po në emër të këtij populli, në 2011, Komisioni Qendror Zgjedhor që drejtohej nga një jurist i pavarur që u konvertua shumë shpejt në Sekretar i Përgjithshëm partie, rihapi kutitë dhe rinumëroi 80 vota më shumë, duke i dhënë kështu shefit të tij të ardhshëm Bashkinë e Tiranës.
Në emër të popullit, partitë politike kanë dalë e dalin në protestë. Në emër të popullit deputetët shajnë në Kuvend, i cili më mirë të quhej Ku-çmend. Në emër të popullit mund të vriten edhe njerëz në Bulevard. Në emër të popullit kërkohet revolucion. Në emër të popullit përfaqësuesit tanë kanë kaq shumë zell të “shihen në gjyq”.
Në emër të popullit bojkotohet parlamenti, po në emër të të njëjtit popull rikthehesh sërish aty. Në emër të popullit bëhesh përfaqësues i tij, po në emër të popullit heq dorë nga përfaqësimi.

Sa shumë bëma, vepra, sakrifica në emrin Tënd o Popull!! Edhe ti ndërkaq mbete i lodhur! Ne jemi shumë të lodhur!
Ne jemi të lodhur nga problemet politike të pazgjidhura. Ne jemi të lodhur nga pamjaftueshmëria buxhetore, të lodhur nga luhatjet e monedhës kombëtare, të lodhur nga paniku i shkaktuar nga ngërçi i inflacionit. Ne jemi të lodhur nga premtimet e pambajtura qeveritare. Truri ynë është lodhur nga analiza të pafrytshme të asaj që ekonomia jonë është në të vërtetë, e cila herë na përshfaqet e dyta pas Gjermanisë, e herë në buzë të greminës.
Ne jemi të lodhur nga grindjet pa karar e me zarar midis liderëve tanë. Ne jemi të lodhur nga hamendjet e pafundme mbi të ardhmen tonë. Ne jemi të lodhur nga dosjet e pazgjidhura kriminale, të mbuluara me pluhur në raftet e prokurorive.
Ne jemi të lodhur nga debatet e panumërta televizive ku analistët e demokracisë “ulërasin” në emër të mbrojtjes së mirës publike. Ca syresh orvaten t’i bëjnë qejfin pushtetit të radhës dhe ca të tjerë gjykojnë çdo ngjarje, nisur dhe vetëm nga interesi i ngushtë personal. Ka edhe nga ata që mund të vrasin me fjalë e me moral këdo e kërkënd, për pak begenisje.

Janë lodhur të moshuarit me sytë e duar shtrirë nga fëmijët për të plotësuar të ardhurat e pamjaftueshme për jetesë. Të lodhur janë fëmijët, të ndodhur shpesh e më shpesh në pritje të kujdesit të munguar nga etërit e tyre të mërzitur dhe nënat e zhgënjyera nga e përditshmja. Të lodhur janë mësuesit për punën në kushte të vështira, të lodhur janë shkencëtarët nga mungesa e kërkesës për shkencë. Të lodhur mjekët që punojnë nën presionin e dhunës dhe vdekjes. Të lodhur janë artistët, që qëndrojnë në pritjen e përjetshme të konsumit dinjitoz të artit të tyre. Linjat tona telefonike janë të lodhura nga përgjimet.
Shqipëria është e lodhur nga premtimet për integrimin europian. Shqipëria përjeton një vuajtje të dhimbshme e të thellë nga politizimi i zjarrtë i çdo gjëje pa asnjë përjashtim, përfshirë dhe dhunën ndaj grave.
Trupi ynë lëngon nën një lodhje historike e shkaktuar në fakt në emër të pushtetit. Premtimet, protestat, akuzat, alibitë, revolucionet, represioni, republikat e reja dhe të vjetra, të gjitha proklamohen,prezantohen, mbrohen, kundërshtohen vetëm në emër të pushtetit. Ka qenë, edhe është kaq e vështirë të jemi të organizuar në mënyrë demokratike, sepse në emër të pushtetit shkëmbinjtë e ndritshëm të zhvillimit bëhen çdo ditë më të thepisur për popullin tonë të drobitur.

Në emër të pushtetit, recituesit politik pa dallim feje, krahine e ideje rrahin gjoksin, humbasin zërin e toruan duke ulëritur mbi kontributin e pashoq që kanë dhënë e janë të gatshëm të japin për ardhmërinë e Shqipërisë. Në emër të pushtetit në 28 vjet na drejtuan pa vizion e kuturu, na lanë vetëm në përpjekjet për t’i mbijetuar rrugës së madhe. Në emër të pushtetit nxitën dështimet, me të cilat jemi ballafaquar ngaherë.

Por, shpresa vdes e fundit! Ky popull “në emër të vet” çdo ditë është përpjekur të rifitojë energji për të bërë hapa përpara, edhe pse është kaq e dhimbshme për trupin e sëmurë që të lëvizë. Rrëzohemi, por sërish ngrihemi, dështojmë, por sërish besojmë se nuk mundet të vetëquhemi kurrsesi një tokë e “nëmur”, por një vend ku pa dyshim do të gjenden burra e gra të denjë që të flasin e punojnë për popullin dhe jo të fshihen pas emrit të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë