Njerez

Në e-Albania, kërkesë online për t’u vaksinuar kundër Covid 19

Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen kundër Covid, mund të bëjnë një kërkesë ‘online’ në platformën e-Albania.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj. 

Kjo e fundit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shpjegon procedurën e thjeshtë ‘online’, që zgjat vetëm pak sekonda, e krijuar për të lehtësuar qytetarët.

“Erdhi momenti që aq shumë kemi pritur dhe për të cilin kemi punuar fort. Me nisjen e vaksinimit masiv, tashmë qytetarët bëjnë kërkesë në platformën e-Albania për t’u vaksinuar ndaj Covid 19”, shkruan Karçanaj, në postimin e saj në Facebook.

Drejtoresha e AKSHI-së, sqaron qytetarët se menjëherë pas kryerjes së aplikimit në e-Albania, do të njoftohen me mesazh ose përmes mjekut të familjes për datën e vaksinimit.

“Me një ndalesë ‘online’, në pak sekonda, kryhet e gjithë procedura. Qytetarët do të njoftohen përmes një SMS-je në celular ose do të kontaktohen nga mjeku i familjes për datën e vaksinimit. E-Albania është krijuar për të lehtësuar jetët e gjithkujt dhe ky shërbim, në këtë moment, është lehtësia më e madhe për këdo!”, thekson Linda Karçanaj.

Vaksinimi masiv i qytetarëve ka nisur gjatë ditës së djeshme në të gjithë vendin për qytetarët mbi 70 vjeç, pas marrjes së një sasie të konsiderueshme të vaksinës kineze “Sinovac”.

Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në ditën e parë të vaksinimit masiv, janë kryer  11.487 doza në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë