Njerez

Në dyqanet e lodrave ka pak gëzim

Megjithëse ditët janë monotone të mbushura nga lajmet e  përditshme për pandeminë, sërisht ato vrapojnë drejt fundit të vitit. Megjithëse të lodhur nga ky vit i vështirë sërisht ka një  arsye për të festuar. Më të gëzuarit janë gjithnjë fëmijët. Ata presin dhurata sepse  e dinë mirë që  babagjyshi i vitit të Ri udhëton me slitë në qiell dhe nuk e  pengojnë kufitjë e  mbyllur të shteteve.

Duke ecur nëpër  tregjet kryesore të Tiranës, shoh shitës ambulantë përgjatë Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Dibrës të cilët janë ulur buzë trotuarit duke qëndruar pas  tezgave të lodrave me shumë kukulla barbi, vegla muzikore të vogla të modifikuara për fëmijë, e  plot të tjera që ia tërheqin vëmendjen e fëmijëve.
“Të bukura janë këto të bukura po sikur s’po ecin shumë. Nuk kanë më lek njerëzit,” më thotë Halimi, një burrë rreth 45 vjeç i cili kishte zgjedhur këtë mënyrë për të fituar disa para për këtë periudhë festash. Fëmijët që kalojnë aty pranë pa dyshim që i japin vëmendje të plotë lodrave, por prindërit përpiqen ta anashkalojnë dëshirën e tyre.

Lisa një nënë e re më tregoi se në këtë periudhë ka shumë frikë të blejë lodra për vajzën e saj 3-vjeçare.
“Pavarësisht se i kam marrë nja dy prej druri, këto të tjerat s’dua t’ia marr se kam frikën e virusit. Nuk ka të bëjë me shpenzimet ,veç kam dëgjuar se në sende virusi qëndron më gjatë,” më thotë nëna e re. Lisa nuk i kishte problem çmimet sepse siç po më thoshte, pandemia nuk kishte ndikuar në gjendjen ekonomike të famijles së saj, por ajo ishte shumë e shqetësuar për anën shëndetësore. Biseda pak minuta me Lisën në rrugë më ktheu pas në kohë kur isha e vogël dhe pikërisht në këtë kohë, vrapoja për lodra, për t’i thënë tim ati që doja një kukull apo një tjetër. Në kohën e fëmijërisë time ka qenë më vështirë të kërkoje sepse kishte shumë pak.

Amari , djali i vogël i Polinës

Polina një tjetër prind që po blinte më tej në tregun e madh të Medresesë më tha se megjithatë edhe sot nuk është e thjeshtë shumë të blesh lodra të mira.
“Lodrat plastike janë të lira, vijojnë nga 100,200,300 lekë ndërsa ato prej druri janë shumë shtrenjtë nga 1000 lekë e sipër. Vihemi në vështirësi sepse lodrat e lira kanë material të butë dhe djali im i fut në gojë, është rrezik mos mbytet. Lodrat e drurit nuk i përballojmë dot. Edhe detyrohem rrallë t’i marr ndonjë nga këto formueset që janë me kafshë, se kam dëgjuar që janë edhe zhvilluese,” shpjegon Polina.

Poliona thotë se nuk gëzon një gjendje të mirë ekonomike në familjen  e saj ndaj në radhën e shpenzimeve  janë veshjet e  fëmijës sesa lodrat. “Mirë që Amari ka halla dhe teze se të jetë për mamin rrallë i shikon lodrat,” më thotë duke qeshur. Më tutje kur pyes një shitës që kishte dyqan të madh lodrash se cilat janë lodrat më të shitura, më pa vrëngët dhe më tha “kontrollorja e cilësisë je ti” duke më përcjell vëngër pas asnjë përgjigje. Por shitësja tjetër pranë tijë më tha se shitjet nga lodrat kanë rënë.
“Festat nuk janë më si përpara, nuk janë të njëjtat shitje. As tregtarët me shumicë nuk kanë marrë shumë se nuk ua kërkon njeri,” u shpreh ajo.

Nuk kishte menduar se këtë vit do të kishte më shumë shitje pasi fëmijët nuk dalin shumë të luajnë jashtë  për shkak të frikës nga infeksioni me COVID-19, por nuk rezultoi kështu. Për dhurata më të mëdha në përmasa e  në çmim , p.sh. makinat elektrike apo biçikletat shitjet janë më të vështira. Sipas shitëseve, qytetarët me të ardhura mesatare “kanë hequr dorë nga këto sende me të drejtë sepse janë gjëra qefi”. E mbyll për sot udhëtimin nëpër tregjet e lodrave për fëmijë.. pa guxuar të bëjë pyetjen po çfarë duan më shumë fëmijët…Aty kishte shumë pak prej tyre…megjithëse ishte ditë pushimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë