Ekonomi

Në Drin kanë nisur të buçasin daullet e krizës, heshtin tam-tamet e shiut

Rezerva energjitike në Kaskadën e Drinit është në nivelet minimale, siç janë minimale edhe edhe prurjet në tre Hidrocentralet që prodhojnë mbi 90 përqind të energjisë elektrike në Shqipëri.

Të dhënat e vëna në dispozicon për Gazetasi.al nga ana e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare tregojnë një situatë aspak pozitive në këtë Kaskadën e Drinit, që nga niveli i ujit në tre basenet e hidrocentraleve, te niveli i rezervës energjitike ditore dhe deri te niveli i prurjeve.

Në HEC-in e Fierzës, niveli i ujit është poshtë mesatares së tij gjatë muajit tetor të vitit të kaluar. Aktualisht, në këtë basen niveli i ujit është 270,76 metra, ndërsa mesatarja e muajit tetor të vitit të kaluar, edhe ai i konsideruar një vit relativisht i thatë sa u takon reshjeve është, 274.1 metër, ndërsa mesatarja historike është 273,5 metra.

Niveli minimal i ujit në HEC-in e Fierzës është 240 metra. Kjo do të thotë se ka një diferencë prej 30 metrash nga arritja e këtij niveli. Por niveli i ulët i prurjeve ka detyruar KESH që të shfrytëzojë me kursim rezervat ujore, pasi istoriku i viteve të kaluara tregon se në muajin nëntor liqeni prek kuotat minimale. Dhe për sa kohë situata ëhstë më keq se vjet, mbërritja drej dyshemes potencialisht është edhe më e afërt.

Aktualisht prurjet janë në kuotën e 35 metër/kub për sekondë, ndërsa në tetor të vitit të kaluar ishin 130 metër/kub për sekondë. Niveli mesatar i prurjeve nga 1991 deri në 1999 i prurjeve për muajin tetor është 107 metër/kub për sekondë.

Sa i takon rezervës energjitike, KESH thotë për Gazetasi.al se rezerva aktuale është 513 GWh. Në tetor të 2020 kjo rezervë ishte 605 GWh. Të gjitha këto të dhëna, sugjerojnë se vendi po zhytet drejt një dimri të vështirë sa i takon situatës energjitike, ku prodhimi vendas, përfshirë këtu edhe HEC-et private nuk pritet që të mbulojë dot më shumë se 70 për qind të nevojave të tregut.

Për pjesën e mbetur prej 30 për qind, OSHEE duhet të dalë në treg për të importuar energjisë, ashtu siç ka bërë që prej muajit gusht. Situata e tejzgjatur me importet dhe rritja e fortë e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare e kanë zhytur kompaninë në një krizë të fortë financiare.

Së fundmi, OSHEE firmosi marrjen e një kredie prej 70 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa nga përllogaritjet asaj mund t’i nevojiten të paktën edhe 70 mln euro të tjera për të mbuluar blerjen e energjisë nga importi vetëm për këtë vit.

Kostoja mund të jetë edhe më e lartë nëse çmimi i një MWh në tregjet ndërkombëtare mbetet në këto shifra. Fundjavën e kaluar u mbyll ankandi për blerjen e energjisë për periudhën 4 deri në 10 tetor. Çmimi mesatar i një megavati të blerë nga Shqipëria rezulton 233 euro, ose 13 mln euro vetëm për një javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë