Ekonomi

Në çfarë përmasash do të jetë fiasko ekonomike e Shqipërisë, shkaktuar nga emigracioni

Nga Gazeta ‘SI’ – Censusi i fundit tregoi se Shqipërisë i mungojnë 420 mijë banorë dhe se mosha mediane e popullsisë së mbetur është 38.2 vjeç. Pasojat e këtyre statistikave deri më tani i ka ndjerë skema e pensioneve, por në afat të mesëm, emigracioni dëmton të gjithë ekonominë, duke krijuar gropa të thella, nga ku qeveritë e kanë të vështirë të dalin.

Momentalisht, mungesën e njerëzve, po e përjeton tregu i punës. Një studim i qendrës kërkimore vendase Altax, gjeti se emigracioni në Shqipëri ka pakësuar deri në 15% ofertën e punës në treg. Studiuesit e quajnë një “taksë” emigrimin që rëndon shumë mbi vendet eksportuese për shkak të parave të munguara në arkë dhe për shkak të boshllëqeve që krijon.

Fondacioni Westminster përllogariti se Shqipëria humb në vit të paktën 1 miliardë euro nga emigrimi i të rinjve, mesatarisht 15 mijë euro për person, me efekt të drejtpërdrejtë në PBB.

Organizata Botërore e Emigracionit përllogariti se 40% e forcës së punës në Shqipëri ka emigruar, ndërsa Banka Botërore raporton se nga Shqipëria ka ikur 30% e forcës punëtore me edukim të lartë, pra “truri”.

Forumi Botëror i Ekonomisë në një studim të dedikuar rastit të Lituanisë, gjeti se largimi i trurit ka ulur me 7% PBB-në e vendit në afatmesëm dhe me 1% në afatshkurtër. Për Shqipërinë nuk ka një statistikë përfundimtare se sa emigracioni e ka dobësuar PBB-në, por studimet konfirmojnë ndikimin negativ.

Altax mori në analizë 3 periudhat kryesore të emigrimit të shqiptarëve, 1992-2023 dhe gjeti se periudhat me emigracion më të lartë janë përkthyer në rritje më të vogël ekonomike për vendin. 

“Ky ndikim ka mbetur i pazëvendësueshëm me hyrje të reja dhe burime shtesë nga njerëzit që janë rezidentë duke patur një efekt frenues në zhvillimin e një sipërmarrje me element konkurrueshmërie, por edhe një fuqi punonjëse aktive dhe me kapacitete në rritje për ndikimin në produktivitetin e ekonomisë”, analizojnë ekspertët e Altax.

Ndërkohë projeksionet për të ardhmen e Shqipërisë nga institucionet ndërkombëtare theksojnë emigracionin si rrezik apo element që frenon ekonominë. “The Economist” shkruan se mungesa e të rinjve nuk është vetëm një fiasko fiskale, por një fiasko e produktivitetit dhe inovacionit për ekonominë.

Edhe pse qeveritë përmendin dërgesat e emigrantëve në vendlindje si kontribut pozitiv për vendin, studimet tregojnë se mungesa e tyre nuk mund të amortizohet me paratë që ata fusin në ekonominë shqiptare.  

“Pavarësisht peshës së tyre të konsiderueshme në PBB, remitancat nuk ndikojnë mjaftueshëm në rritjen e përgjithshme ekonomike dhe nuk janë gjenerues i zhvillimit të ardhshëm pasi komponenti i investimeve nuk është mjaft i fortë. Konkretisht, remitancat përdoren për konsum personal në familje, ndërsa vetëm një sasi e vogël përdoret për investime biznesi”, analizon Westminster.

Nga ana tjetër Altax thekson se efekti direkt i remitancave, përveç rritjes së konsumit familjar dhe prurjeve të parave nga jashtë në sektorë që janë të ndikuar edhe nga informaliteti dhe paraja informale, natyrisht që nuk bëjnë dot zëvendësimin e fuqisë dhe burimeve të emigrantëve me paratë që ata dërgojnë për një jetesë në nivelet konsumit familjar dhe kërkesës për mallra dhe shërbime në nivele që nuk ndikojnë dot ekonominë prodhuese dhe rritjen e produktivitetit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë