Nga Gazeta Si – Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha në Komisionin e Shëndetësisë se ky projektligj vjen për dy arsye, për të motivuar mjekët që të vazhdojnë të punojnë në vendin tonë dhe për të plotësuar nevojat për mjekë në institucionet shëndetësore dhe për të bërë një shpërndarje të drejtë në të gjithë vendin.
“Sipas të dhënave të OECD, vlerësohet se deri në vitin 2022 numri total i mjekëve të diplomuar në Shqipëri, që jetojnë dhe punojnë në vendet e OECD është mbi 1200 mjekë”, tha Kushi duke shtuar se mbizotëron largimi drejt Gjermanisë, Amerikës, Kanadasë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.
Sipas Kushit, shkalla e emigrimit vlerësohet të jetë rreth 20 për qind që do të thotë se në cdo 10 mjek të rinj, dy prej tyre largohen drejt vendeve të huaja.
“Aktualisht në Sistemin Shëndetësor kemi 5400 mjekë që punojnë, që mund të përkthehet në 1.93 mjekë për çdo 1000 mijë banorë. Një standard jo aty ku dëshirojmë ne dhe prandaj mbetet shumë punë për të bërë që të afrohemi të standardet e vendeve të rajonit, 2.6 mjekë për 1000 banorë. Por edhe ti afrohemi vendeve të OECD, ku ky tregues është 3.6 mjekë për çdo 1000 banorë”, tha Kushi.
E pranishme në komision ishte edhe zëvendësministrja Mira Rakacolli tha se shifrat e mjekëve për banorë nuk janë të frikshme por duhet të arrihen shifrat e rajonit.
Ndërkohë, deputetja e PD-së, Ilda Dhori tha se qeveria duhet të marrë masa të tjera për të kuptuar se ku e ka zanafillën fenomeni i eksodit të mjekëve.
“Mendoj që për të korrigjuar këtë largim masiv, për të marrë masa konkrete, që do të kenë efekte motivuese, duhet të shohim në thelb problemin. Ata ikin se çedon sistemi. Çfarë ka bërë qeveria në këto vite? Ka mbyllur sytë duke thënë se është problem global. Protestat e studentëve janë të drejta, pasi po mbrojnë të drejtën e tyre për t’u arsimuar në publik”, tha Dhori.
Por Kushi u përgjigj duke thënë se ikja e mjekëve nuk vjen si shkak i çedimit të sistemit por nga nevoja e vendeve të BE-së për mjekë dhe lehtësimi i të gjitha procedurave për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera.
“Arsyeja kryesore është që vendet e BE-së kërkojnë çdo ditë mjekë. I kanë liberalizuar të gjitha procedurat për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera. Edhe para 10 vjetësh, 15 vjetësh, 5 vjetësh kishte mjekë që donin të shkonin drejt këtyre vendeve. Sepse ne nuk mund ta konkurrojmë as Gjermaninë, SHBA-në, sado t’i rrisim pagat apo mirëqenien. Por, sot ata shkojnë dhe janë të sigurt që menjëherë u ofrohet një vend pune, madje edhe pa u njohur diplomën. Qytetarët e vendeve të BE-së nuk duan të studiojnë më për mjekësi sepse është një shkollë e vështirë, prandaj janë në krizë”, tha Kushi.
Pjesë e diskutimeve u bë edhe nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili tha se mbajtja e diplomës pas përfundimit të studimeve “nuk është parë as në kohën e komunizmit”.
“Kush është ai pacient që shkon të bëjë një vizitë tek një mjek që nuk ka diplomën”, tha Vasili.
Projektligji parashikon që studentët ose më saktë kandidatët për studentë që fitojnë të drejtën për të studiuar në Universitetin e Mjekësisë në muajin gusht, pas konkursit që është provimi i digjitalizuar përveç rezultateve në tre vitet e studimeve në gjimnaz dhe provimeve të maturës, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me MSH, MAS dhe UMT, për të pranuar që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.
Ndërkohë që për studentët që janë aktualisht në sistem, që do të thotë nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, parashikohen dy alternativa. Alternativa e parë është që këta studentë të nënshkruajnë një marrëveshje përsëri me UMT, dhe dy ministrisë, për të qëndruar respektivisht nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit për të punuar edhe ata në institucionet tona.
Ndërkohë që alternativa e dytë që u paraqitet studentëve që janë aktualisht në sistem, nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, është që nëse ata nuk pranojnë të nënshkruajnë këtë marrëveshje, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve por për vitet që kanë mbetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



