Drejtësia

Në burg për korrupsion e pastrim parash, Erion Veliaj ankimon vendimin në Apelin e Posaçëm. Zbardhen argumentet e mbrojtjes

Gazeta Si – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar me urdhër të SPAK, ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas burimeve paraprake, avokati i Veliajt, Ermir Beta, ka dorëzuar këtë të diel në gjykatë ankimimin e vendimit të parë të datës 9 shkurt të dhënë nga gjyqyari Erion Bani, vendim që i hapi rrugë arrestimit të tij një ditë më pas, të hënën e 10 shkurtit.

Në ditët në vijim, brenda afateve ligjore, mbrojtësit e Veliajt pritet të depozitojnë ankim edhe ndaj vendimit të 12 shkurtit të GJKKO, i cili konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Veliajt.

Të njëjtat burime thonë se mbrojtja e kryebashkiakut nuk ka depozituar ankim për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, e cila është në masën “detyrim paraqitje”. 

Zbardhen e argumentet: Akuza në nivel aludimesh e jo provash

Në apelimin e dërguar Apelit të GJKKO, përmendet se vepra penale që i atribuohet personit nën hetim Erion Veliaj, ajo e “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal, ‘bazohet tërësisht në supozime të organit procedues, të tilla që mund të shërbejnë për ngritjen e pistave të mundshme hetimore, por këto supozime nuk kënaqin kërkesat ligjore për caktim mase sigurimi personal, aq më pak të një mase si ajo e arrestit në burg’.

Prezumohet që z. Erion Veliaj ka favorizuar persona juridikë dhe administratorë të tyre që po hetohen për nenin 245 të Kodit Penal, pasi paskan përfituar padrejtësisht fonde apo punë publike nga Bashkia Tiranë, por ka një mungesë totale të provueshmërisë së këtij fakti penal të pretenduar, duke ia atribuuar këtë akuzë në nivel aludimesh, të pamjaftueshme edhe për standardin që kërkohet në lëndë mase sigurimi, atë të dyshimit të arsyeshëm, i cili rezulton të jetë i pabazuar në prova”, argumenton mbrojtja.

Ndërsa më tej shtohet se “të hetuarit mohojnë çdo element kundërligjshmërie përgjatë aktivitetit të tyre lidhur me Bashkinë Tiranë dhe në tërësi vepra penale e parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal nuk formësohet në asnjë prej elementeve të saj”.

Gjithashtu në apelim theksohet se: “Në të njëjtën nivel paprovueshmërie rezulton edhe fakti tjetër që z. Veliaj i atribuohet, firmosja e disa urdhrave të shpenzimeve për projekte artistiko-kulturore të financuara nga Bashkia Tiranë, ku përfitues paraqiten disa OJF apo shoqërive me përgjegjësi të kufizuar që organi i akuzës i paraqet si të zotëruara në mënyrë indirekte nga znj. Xoxa dhe familjarë të saj”.

Në apelim, i thuhet Gjykatës së Apelit të Posaçme, se për këto aktivitete ka një Këshill Artistiko-Kulturor me 9 anëtarë nga bora e artit, sportit dhe të tjera, emra të njohur, që prej vitit 2016:

“Se për këtë fushë të aktivitetit të Bashkisë Tiranë, aktiviteteve kulturore, artistike, rinore e sportive, prej vitit 2016 e në vijim, Këshilli Bashkiak si organ përfaqësues i Bashkisë Tiranë, ka vendosur që të miratojë ngritjen e një Këshilli Artistik-Kulturor, në përbërje të të cilit janë 9 anëtarë emra të shquar të jetës artistike, kulturore e sportive të vendit. Është pikërisht ky këshill organi kolegjial që vendos për miratimin e projektit konkret që do të financohet nga Bashkia Tiranë”, rendit mes të tjerash mbrojtja.

Akuzat dhe arrestimi me urdhër të SPAK

Të mërkurën, pas një seance maratonë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë la në fuqi masën e sigurisë për Erion Veliajn.

Gjyqtari Erjon Bani, në atë seancë ndryshoi vetëm masën e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxës, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Për këtë çështje në “arrest në burg” vijon të qëndrojë edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa 5 biznesmenë të tjerë kanë masën “detyrim për t’u paraqitur”.

Në lidhje me arrestimin e tij, Veliaj ka reaguar prej disa ditësh në rrjetet sociale, duke e cilësuar procesin të orkestruar.

Kryebashkiaku i mohon akuzat e ngritura ndaj tij, duke e quajtur një gjyq politik 3 muaj para zgjedhjeve dhe sipas tij në dosje nuk ka asnjë fragment ku thuhet se ka kërkuar apo ka marrë ryshfet.

Ai u ndalua brenda ambienteve të Bashkisë së Tiranës ku në prezencë të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe agjentëve të BKH u shoqërua drejt ambienteve të bllokut të sigurisë te “Mine Peza”. Pas lënies në qeli nga GJKKO, Veliaj u transferua në dhomat e paraburgimit në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë