Politike

Erion Veliaj akuzon sërish nga qelia Olsi Dadon: Im bir, jetim me urdhër të prokurorit

Gazeta Si – Nga qelia e paraburgimit ku ndodhet prej disa ditësh, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka akuzuar sërish Olsi Dadon, prokurorin e SPAK që kërkoi arrestimin, duke u shprehur se djali i tij është jetim me vendim prokurori dhe vendim gjykate.

Veliaj shkruan se kur bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa ka kërkuar uljen e masës paraprake nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje për shkak të nevojës për t’u përkujdesur të paktën njëri prej prindërve për djalin e tyre 6-vjeçar, por sipas arsyetimit të prokurorëve, “djali i tyre ka dy gjyshe”.

“Pra, me vendim gjykate i caktohet fëmijës statusi i jetimit dhe përgjegjësia ta rrisin u kalon gjysheve! Ato mund ta zëvendësojnë rolin e prindërve për ta çuar e marrë nga shkolla, apo për ta shoqëruar në aktivitete jashtëshkollore, tha violinisti dështak. Madje, gjyshet mund t’i mbanin edhe radhët për të blerë ushqime sipas tyre, pavarësisht se as nuk e kanë idenë nëse gjyshet janë mirë me shëndet, ngasin apo jo makinën, për t’u kthyer në shërbëtore të fëmijës së shpallur “jetim” dhe pa akses në llogari bankare me urdhër nga Spaku, e me radhë”, shkruan Veliaj.

Ai shton se të njëjtët prokurorë mendojnë se gjyshet janë njerëz të shtëpisë dhe mund ta marrin edhe edhe rolin e mamasë për nipin, por kurrsesi nuk mund të ndodhë në shtëpitë e gjysheve të gjenden lodra të nipit 6 vjeç.

Sa i takon vilës në Qerret për të cilën SPAK e akuzon se e ka fshehur nga deklarimi i pasurisë, Veliaj thotë se nuk ka prova se ajo është shtëpia e tij dhe ngre pyetjen. “A mjaftojnë dot si provë fotot e lodrave të djalit tim apo fakti që ime shoqe thërret shoqet e veta te shtëpia në plazh e të ëmës për ditëlindjen e saj?”

Gjatë postimit në Facebook, Veliaj e etiketon prokurorin e dosjes ‘violonist lunatik’,’dështak i kompleksuar’ ‘noter i lodhur ndërtues’, ndërsa seancën e vlerësimit të masës së sigurisë ‘thertore’ e gjyqtarit që ka të njëjtin emër me të Erjon.

Masa e sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj Erion Veliajt, u firmos nga gjyqtari i GJKKO, Erion Bani me kërkesë të prokurorit të SPAK, Olsi Dado, i cili e akuzon për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë