Nga Edmond Prifti - Një nga dhuratat më të çmuara që zona e Dumresë ka, janë pa dyshim, 85 liqenet karstike. Jo më kot, Sami Frashëri, - busti i së cilit ndodhet sot në qendër së pedonales së qytetit, - në veprën “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, kërkonte që kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë, të ishte pikërisht, Belshi, e madje duke theksuar se “Kryeqyteti i Shqipërisë do të ndërtohej i ri, me klimë të shëndetshme e i bukur, me rrugë të drejta në qendër të Shqipërisë. Belshi do të quhej Skënderbegas”.
Imagjinoni si do të ishte kryeqyteti ynë sot... i rrethuar nga 85 liqene karstike! E nëse mendoni se të gjitha mrekullitë e Dumresë, do mund të vizitohen brenda një dite, gaboheni. Për të mos harruar! Mali apo ajo që duket si një kodër, - ajo e fortifikimeve të Gradishtës, - 3 kilometra në jug-lindje të Belshit, është një tjetër e veçantë e zonës, ku nga gërmimet arkeologjike të gjendura rastësisht në vitet ’73-’74, u gjet edhe varri i një princi ilir (shiheni këtë, në përmbledhjen tonë të videos).
Për të shkuar drejt kryeqendrës së Dumresë, Belshit, rruga pas Cërrikut, është mbase një nga rrugët më të mira në Shqipëri, jo veçse për nga shenjat rrugore, por edhe peizazhin mahnitës përreth e me kthesa të buta, një zonë e pasur me ekoturizëm, çiklizëm, agroturizëm, por edhe turizëm arkeologjik.
Rruga drejt perlës
Pasi ke kaluar qytetin e Elbasanit nga Tirana, në shesh rrotullim merrni rrugën drejt Cërrikut, pas pothuajse për gjysmë ore, futeni në zonën e Dumresë. Me të mbërritur në fshatin e Shalës, syri sheh më afër mrekullitë e kësaj zone, 25 kilometra larg Elbasanit dhe veçse 70 kilometra larg Tiranës. Pamja mahnitëse shfaqet sapo ngjitesh në kodrinën sipër Liqenit të Belshit, atje ku ndodhet edhe bashkia me të njëjtin emër, më e madhja e zonës së Dumresë.
Në anësore që të çon drejt qendrës së qytetit, apo siç njihet ndryshe pedonalja e re e qytetit, në të djathtë të rrugës sheh me dhjetëra lokale që ofrojnë peshk të liqeneve të Dumresë, e po aq gatimet tradicionale të kësaj zone, si kalastrenë, qumështorin, hasuden, byrekun me spinaq, byrekun me gjizë, djathin e shijshëm të Topojanit, ajturin me kajmak, ajturin me lakra, tavën e peshkut me perime, mishin e qengjit apo mishin e kecit të pjekur në hell, ku e shtuna apo e diela, i gjen të mbushura plot me turistë të ardhur po aq nga kryeqyteti, por edhe nga zonat përreth Elbasanit.
Me banorët e Belshit
Më parë siç tregojnë edhe vetë banorët e këtyre zonave për “Vende dhe udhëtime”, siç ishte edhe Faslli Pire i ardhur në këtë qytet si arsimtar në vitin 1968 nga Berati, thotë se zona, gjatë viteve ‘90 ishte mbushur me lokale, ashtu siç çdokush nga ne e mban mend Tiranën dikur, me lokale buzë Lanës. Tri vite më parë u kthye kjo zonë në një pedonale dhe vend argëtimi turistik.
Siç kujton Pire, i cili jeton në këtë vend prej më se 40 vitesh, “...Liqeni i Belshit, ka qenë i rrethuar me shelgje lotues, që i jepnin një bukuri të rrallë këtij vendi dhe kodrat përreth me lisa të shumtë”. Po ashtu, ai nuk harron pa përmendur se, deri në fillimin e viteve ’90, po aty ku ndodhet sot godina e rikonstruktuar e Bashkisë së Belshit, ndodhej godina e hershme e bashkisë me gurë, tejet e bukur, e një ndërtesë historike me një kupolë të madhe, e ndërtuar në vitet ’30, në kohën e Zogut... por pronar pas pronari, edhe objekti në fjalë u shkatërrua. Megjithatë, shkëlqimi i dikurshëm sikur i ka buzëqeshur edhe kësaj zone sadopak... “Punë nuk ka”, thotë ai, ndërsa vijon se “shteti nuk bën në mënyrë të organizuar grumbullimin e rrushit apo ullinjve, të shumtë në zonë”. Dikur këtu ka qenë i mirënjohuri “Duhani i Dumresë”, më i preferuari i Shqipërisë, ndërsa sot... nuk ka”. Si përfundim ai e mbyll duke thënë se “Nuk e ndërroj Belshin, me asnjë qytet tjetër!”. Një tjetër banor që takuam në këtë pedonale është edhe Ylber Zekthi, të cilin kur e pyet se si e mban mend Belshin e dikurshëm, ta kthen befas përgjigjen “Rrëmuja!” (duke kujtuar vitin e mbrapshtë ’97), ndërsa më tej vijon se “Belshi ka ndryshuar 100 për qind, duke u kthyer në një pedonale tejet të bukur”. Dikur nuk ka pasur jetë nga lokalet, ndërsa sot ka gjallëri, thotë Ylber Zekthi për Liqenin e Belshit, i cili është njëherazi, “liqeni i qytetit”, - një nga 84 liqenet e tjerë. Më tej takuam një taksimetrit, i cili ironizon faktin se “...edhe unë kam punuar kameraman, por nuk më eci”, teksa të sheh me një aparat foto duke xhiruar dhe filmuar në pedonalen e qytetit. Ai thotë se “shërbimi hotelier mungon ende, ndonëse bujtinat e lokalet, janë të panumërta”, ndërsa e mbyll se përballë Belshit mendohet të zgjerohet pedonalja, e mbase atje kanë menduar të shtojnë edhe shërbimin hotelier.
Zona e Dumresë dhe liqenet karstike
Pak nga banorët duan të flasin për të shkuarën e këtij qyteti, që pranë ka mbase një nga thesaret më të çmuara të arkeologjisë shqiptare, por pak të studiuara... Belshi është një nga të paktat bashki të reja, të cilat shtrihen tërësisht në zona rurale. Sipërfaqja e bashkisë së re është 196.44 kilometra katrorë. Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Belsh, Grekan, Kajan, Fierzë dhe Rrasë. Në këtë zonë, si askund tjetër në Shqipëri, sheh veçse vila teksa me makinë shëtit një tjetër liqen si ai i Seferanit, më i madhi në zonën e Dumresë.
Krahas punimeve që filluan në gusht të vitit 2016, për pedonalen buzë Belshit, filluan pothuajse njëherazi edhe ato të bregut të liqenit të Seferanit, aty ku ndodhet sot një shtatore kali dhe shtatorja e perëndeshës Afërdita, e punuar nga një skulptor vendës, i njohur si “Mikelanxheloja i Belshit”. Një tjetër traditë e re, risi dhe tejet e leverdishme e kësaj zone është edhe mbjellja e bimës së shafranit, e njohur ndryshe si “Zafferano di Dumre”, një prodhim “Made in Albania”, që kultivohet në fshatin Dëshiran të Belshit, ku një familje e kësaj zone ka eksperimentuar e para mbjelljen e bimës së rrallë, ku veçse një kilogram nga kjo lule shkon deri në gjashtë mijë euro. Dumreja është një nga zonat më të njohura dhe nga më të mëdhatë në Shqipëri, ndërsa kodrat rreth e qark në përgjithësi janë të mbuluara me pyje dushku, ndonëse pjesa më e madhe e këtyre pyjeve, u prenë gjatë kohës së komunizmit për të krijuar hapësirë për toka buke. Një pjesë e banorëve të kësaj zone janë zhvendosur në të kryesisht nga rrethi i Gramshit, në periudhën e mbretit Zog, por edhe pas çlirimit. Gjatë kohës së regjimit komunist, Belshi, Dushku, Xheria, Dragoti dhe Kosova u shndërruan në vendbanime persekutimi për të internuarit, të njohur ndryshe si “armiqtë e pushtetit popullor” të kohës, ku në Kosovë të Belshit, funksiononte burgu për gratë e dënuara, më pas i shndërruar në një burg ku vuajtën dënimin politik gra nga Rusia, Bullgaria, Rumania e shumë vende të ish-bllokut komunist. Zona e Dumresë shtrihet midis lumenjve Devoll në jug dhe Shkumbin në veri dhe fillon aty ku mbaron fusha e Pazhokut në Cërrik, duke përfunduar atje ku fillon fusha e Myzeqesë. Sipas “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” dhe faqes zyrtare bashkiabelsh.al, janë gjithsej 85 liqene karstike me një sipërfaqe të përgjithshme prej 14.2 kilometra katrorë dhe një vëllim ujor prej 26 milionë metër kub ujë. Më të mëdhenjtë janë Liqeni i Çestijes me 96.8 hektarë dhe i Seferanit (Seferajt) me 87.5 hektarë.
Por, liqeni karstik me vëllimin më të madh të ujit është Liqeni i Merhojës me 11.3 milionë metër kub, me thellësi deri në 17.5 metra dhe më të lartën, 61 metra thellësi. Në thellësi më të mëdha se 15 metra fillon dhe shfaqet acidi sulfhidrik. Karakteristikë e liqeneve karstike të Dumresë është se ato janë liqene ushqehen me regjim shiu dhe mbushja me ujë e gropave të tyre përgjithësisht bëhet nga rrjedhja e përkohshme sipërfaqësore. Një bukuri natyrore mahnitëse e Dumresë janë edhe ato që u përngjajnë zambakëve të ujit, lekoi i bardhë dhe lekoi i verdhë. Ky i fundit rritet në gjirin e Degës, në atë të Seferanit, Turbullit dhe Stanit të Panjës, ndërsa lekoi i bardhë rritet në liqenin e e Rramanit, Turbullit dhe Seferanit. Rasti më i fundit i fenomenit karstik në Dumre ka qenë ai në liqenin e Marinëz, ku më datë 9 nëntor 2017, në liqen u formua një gropë karstike, e cila në formë hinke pothuajse shteroi pothuajse gjithë ujin e këtij liqeni (kjo rrëfen se dukuria mijëravjeçare që ka krijuar këto liqene, vijon ende edhe sot).
Rreth 26 nga liqenet e zonës së Dumresë shfrytëzohen për peshkim të kontrolluar e të menaxhuar profesionalisht për mosdëmtimin e rasateve dhe faunës nënujore. Peshku i kapur, ndër të cilët llojet e krapit natyror, krapit të kultivuar, ballgjërit apo amurit, si dhe në disa liqene edhe ngjala, si specie endogjene, konsumohet tërësisht nga banorët e zonës ose dhe në qytetin e Elbasanit. Gjatë stinës së verës ndodh që afro 20 liqene të thahen përkohësisht.
Gradishta dhe liqeni i Seferanit, vendet e shenjta ilire
Është quajtur dhe “Akropoli” i Dumresë, me një lartësi 180 metra mbi nivelin e detit, nga ku shihet Dumreja si në pëllëmbë të dorës. Gradishta ka vlerë monumentale jo vetëm natyrore, por edhe arkeologjike. Gërmimet arkeologjike të vitit 1969, e më tej më ’73-‘74 , në Malin e Gradishtës, 3 kilometra larg Belshit dëshmuan se kishin të bënin me një vendbanim të lashtë ilir, ku në shekullin e VI-të p.e.r., ishte një qendër e zhvilluar protourbane, ndërsa në shekujt e IV-I-rë p.e.r., u kthye në një qendër të fortifikuar të krahinës së Partinëve. Në një kumtesë të mbajtur nga arkeologu Neritan Ceka në vitin 1976 me titull “Gjetje të Rastit- Varri i një luftëtari Ilir nga Belshi”, midis të tjerave thuhet se “Në anën perëndimore të qytezës ilire të Belshit, u zbulua rastësisht një varr me inventar shumë të pasur, i cili përbëhej nga armë, enë bronzi e balte të pjekur si dhe zbukurime argjendi”. Sipas tij, brenda në varr ishte gjetur vetëm një skelet, ndërsa objektet ishin vendosur rreth kokës, si përkrenarja dhe artefaktet e bronzit, por dhe enët e baltës. “Varri ndodhej në një vend të pjerrët, 1 metra thellë, ku ishin vendosur edhe shtiza hekuri si dhe një shpatë, po prej hekuri. Te këmbët ishin vendosur enë balte si dhe pranë skeletit, u gjetën një byzylyk argjendi si dhe shumë artefakte të tjera. Numri i artefakteve që përmbante varri, arrinte në 70”. Në të gjitha këto gjetje tërhoqi vëmendjen një poç balte i tipit me kolona, që sipas Cekës ishte zbukuruar me motive floreale (shih videon bashkëngjitur nga AQSHF). “Nga këqyrja e kësaj ene tërheq vëmendjen një simbol i veçantë në sipërfaqen e poçes që është simboli i së ashtuquajturës “Meander”es, ku disa e quajnë simbol romak, e disa grek. Simboli, - një top si labirint, - i takon një kulture parahelene dhe romake, i ngjashëm me ato të gjetura në fshatin Rasta të Rumanisë si dhe në ishullin e Rodosit, që përfaqëson unitetin dhe pafundësinë, por ka edhe mendime të tjera, të cilat këtë simbol e lidhin me simbolin e diellit dhe pavdekësinë. Sipas studiuesve, ky simbol e ka marrë emërtimin nga një lumë, i cili ndodhej në Turqinë e sotme me emrin Meander dhe i cili është përmendur nga Homeri tek Iliada.
Në perëndim të kësaj qyteze, në liqenin e Seferanit ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej, duke hedhur në ujë enë dhe terakota, si dhurata për perëndeshën. Është kjo arsyeja që herë pas here edhe sot zhytësit gjejnë në fundin e liqeneve relikte të rralla terakote. Statuja e Afërditës ose sikurse i thonë vendësit “Perëndesha e Dashurisë” është rikthyer në një tempull për vendësit. Vendosja e statujës së Afërditës në këtë vend nga skulptori nga Belshi, Fiqiri Kasa (realizuesi edhe i bustit të Sami Frashërit në qendër të pedonales së Belshit dhe të Nimfës brenda në shatërvan), përshtatja e një amfiteatri po aty si dhe “Rruga e Biçikletave”, në liqenin e Seferanit, dy kilometra nga qendra e Belshit janë disa nga risitë mjaft interesante. Po ashtu, një festë e përvitshme zhvillohet në Belsh për nder të saj, ku turistë nga i gjithë vendi mblidhen aty çdo 10 maj.
Gradishta, që njihet sot, vijoi të ekzistonte si qendër banimi edhe gjatë shekujve I-VI-të e.r. duke qenë pranë degës nga Apolonia të rrugës Egnatia, që lidhej nëpërmjet urës së Topçiasit (urë mbi lumin Shkumbin në afërsi të qytetit të Elbasanit). Më tej, gjatë shekujve të IV-VI-të të e.r. u rifortifikua me mure guri të lidhur me llaç.
Liqenet më të famshëm të Dumresë
Liqeni Merhojes
Ndodhet në Veri të fshatit Merhoje dhe në lindje të fshatit Çepë. Është liqeni më i thellë, ndër liqenet e Dumresë dhe ka ujin më të pastër dhe të pandotur. Shquhet për peshkun e llojit krap. Ka një sipërfaqe prej 65.5 hektarësh dhe një thellësi maksimale prej 61 metrash. Shfrytëzohet për ujitje dhe peshkim dhe vizitohet duke marrë rrugën Tiranë-Elbasan-Belsh-Çepë.
Liqeni Çestijes
Ndodhet në afërsi të fshatit Çestije të Njësisë Administrative Kajan. Është liqeni më i madh ndër liqenet e Dumresë. Ka një sipërfaqe prej 96.8 hektarësh dhe një thellësi maksimale prej 11 metrash. Shfrytëzohet për ujitje dhe peshkim. Vizitohet duke marrë rrugën Tiranë-Elbasan-Belsh-Çepë-Fierzë-Çestije.
Liqeni Degës
Ndodhet pranë fshatit Fierzë, në pllajën e Dumresë, në lartësinë rreth 160 metra mbi nivelin e detit. Përbën një liqen interesant karstik, me formë tepër të përzgjatur (1600 metra i gjatë dhe deri në rreth 300 metra i gjerë), ka pikërisht, 3800 metra gjatësi të vijës breg-liqenore, 17.9 metra thellësi dhe sipërfaqe 37.4 hektarë. Është ndër liqenet më të bukur në grupin e atyre të Dumresë. Edhe ky liqen është formuar nën veprimin e karstit në gjipse, nga bashkimi i disa hinkave karstike të mbushura me ujë, si pasojë e bllokimit me materiale të patretshme dhe të papërshkueshme të kanaleve nëntokësore karstike. Formon një ekosistem të veçantë liqenor me botë të gjallë të pasur. Temperatura e ujit në dimër është 7.8 - 8 °C. Ende ruhet në gjendje të mirë. Rigjallërimi i bimësisë natyrore në shpate dhe kufizimi i kultivimit të drithërave në shpatet e pjerrtë përreth tij, do t’i shtonin edhe më shumë vlerat e tij atraktive. Vizitohet duke marrë rrugën Tiranë-Elbasan-Belsh-Çepë-Fierzë-Liqeni i Digës.
Historia interesante e Çestijes
Zona e Çestijes në Belsh njihet ndryshe edhe si një vend me një histori mjaft të veçantë. Më 8 nëntor të vitit 1943, në Çestije të Belshit, një avion amerikan transporti Dakota C-53, i goditur nga gjermanët në Kuçovë... Para tyre arritën një grup partizanësh dhe banorë të fshatit, të cilët strehuan 30 pjesëtarët e ekuipazhit, prej tyre 13 infermiere nëntogere të skuadrës së evakuimit ajror, 13 sanitarë meshkuj dhe ekuipazhin prej 4 individësh, të cilët udhëtuan të shoqëruar nga këta të fundit, drejt një vendi më të sigurt, për 62 ditë. Në shenjë mirënjohje ndaj këtij akti, në vendin ku u ul forcërisht ky avion pritet të ngrihet një memorial që do simbolizojë këtë mirësi të belshakëve ndaj popullit dhe ushtarakëve amerikanë. Ndërsa në Merhoje, në shtëpinë e fisit Zenaj, pritet të kthehet në muze kushtuar kësaj historie mjaft heroike të popullit të kësaj zone që ka marrë vëmendjen e amerikanëve që nga presidenti Rusvelt, deri në ditët e sotme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.