Art dhe Kulture

Në ankand kaseta me këngët e papublikuara të John Lennon

Një kasetë audio e këngëtarit të ndjerë, John Lennon që këndon këngë të papublikuara gjatë qëndrimit të tij në Danimarkë në vitin 1970, do të dalë në ankand më 28 shtator në Kopenhagen.

Lajmi u bë i ditur për mediat nga shtëpia e ankandeve Brun Rasmussen, e cila tregoi se regjistrimi, i vlerësuar midis 27 mijë dhe 40 mijë euro, zgjat 33 minuta dhe i përket katër burrave që takuan Lennon-in si adoleshent, gjatë viteve 1969-1970 në bregun perëndimor të Danimarkës.

Rasmussen tha: “Regjistrimi është krejtësisht unik sepse është një bisedë”.

Ajo u regjistrua pas një konference për shtyp, kur nxënësit e shkollave të mesme, së bashku me disa gazetarë, biseduan me Lennon, i cili këndoi disa këngë për ta.

Në dimrin midis 1969 dhe 1970, John Lennon u transferua për një periudhë kohe në një fshat të vogël në brigjet e Danimarkës për t’u çlodhur me Yoko dhe Kyoko, vajza e artistes japoneze që jetonte me babanë e saj në gadishullin danez të Jutland.

“Kjo është hera e parë që një intervistë origjinale e Lennon dhe Yoko do të dalë në ankand dhe ne presim një interes të madh. Për mua ishte shumë prekës dhe mesazhi i tij i paqes është akoma më shumë se i nevojshëm sot”, është shprehur një nga kuratoret e shtëpisë së ankandit, Alexandra Nillson.

Kanë kaluar 40 vite që nga vrasja gjakftohtë e John Lennon që atë kohë tronditi botën. Autori i krimit Mark Chapman u shpreh se kur kreu vrasjen e yllit të “The Beatles” ishte 25 vjeç dhe gjithçka e bëri për famë.

“E dija që Lennon ishte shumë i famshëm dhe doja lavdi personale. Doja që emrin tim ta dëgjonin të gjithë”.

Më pas Chapman shtoi se nuk ka asnjë justifikim për atë që bëri, ishte një veprim egoist që i mori jetën një personi të pafajshëm dhe për këtë ai i kërkoi shumë ndjesë familjes dhe ish-partneres së Lennon.

Ndërkaq, më herët një letër e shkruar nga John Lennon, doli në ankand me një çmim fillestar prej 30 mijë paundësh.

“BBC News” raportoi se kjo letër ishte shkruar nga Lennon kur ai ishte vetëm 11-vjeç. Bëhet fjalë për një letër falënderimi dërguar hallës së tij, për ta falënderuar për dhuratat e Krishtlindjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë