Nga Gazeta ‘Si’- Pak ditë pas fronëzimit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopi Joan Pelushi në një rrëfim të rrallë, tregoi si i lindi dëshira për t’u bërë prift në një kohë të paimagjinueshme në vitet ’80.
I ftuar në Podcastin “Flasim” të kryeministrit, Rama kujtoi bisedat me kryepeshkopin,të zhvilluara në rrugët e Myslym Shyrit në Tiranën e viteve të errëta të diktaturës, kur liria e besimit ishte një ëndërr e largët, teksa ky i fundit i shprehu dëshirën se do të bëhej prift.
“Në ato kohë askush nuk e mendonte që një ditë do të mund të dilnim në botën e lirë e të praktikonim besimin tonë,” tha Rama, duke treguar se ishte pikërisht Kryepeshkopi ai që, me një bindje të palëkundur, i kishte thënë: “Unë do të bëhem prift.”
Rama zbuloi edhe një detaj nga jeta e Kryepeshkopit Joan, duke treguar se përpara se të bëhej priftka punuar si infermier në spitalin psikiatrik.
Kryepeshkopi Pelushi tregoi se ishte rritur në një familje jo fetare dhe se në rininë e tij kishte nisur një udhëtim të brendshëm përmes leximit, duke kujtuar se leximi i Ungjillit në vitin e katërt të gjimnazit ndryshoi përgjithmonë jetën e tij.
“Unë vij nga një familje shumë e madhe dhe jo e krishterë, në atë kohë nuk praktikohej asnjë lloj besimi. Nuk ishte konvertim, nuk ekzistonte asgjë. Në rini më pëlqente të lexoja pafund. Njeriu është qenie e etur, por varet çfarë uji pi. Kur lexova për herë të parë Ungjillin, në vitin e 4 të gjimnazit ndodhi diçka thellë brenda meje. M’u kthye sërish gëzimi i fëmijërisë. Falenderova Zotin që më ktheu gëzimin. Në atë çast jeta ime ndryshoi.
Pata fatin të njihesha edhe me njerëz që kishin akses në libra akoma më të avancuar. Dhe së bashku me Petro Zhejin pothuajse kemi lexuar të gjithë bibliotekën te rruga e Elbasanit dhe kishte libra të vyer. Dhe këtë e kuptuam më vonë kur dolëm jashtë në Itali e Amerikë. Në shkollën ku shkova pashë që pjesën më të madhe të librave e kisha lexuar. Bindja për t’u bërë prift lindi atëherë”.
‘Fan Noli është një nga figurat themelore të Kishës Orthodhokse’
Ai tregoi se kur ishte me studime në Amerikë teksa po sistemonte bibliotekën e Fan Nolit lexoi një shënim të tijin ku shkruante: “Kisha mbeti për mua gjithmonë dashuria ime e parë”.
“Nëse kryevepra ime në fushën politike dhe diplomatike ka qenë pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në fushën letrare ka qenë ‘Kremtorja’, një libër shumë i vështirë për tu përkthyer. Ai e ka përkthyer nga greqishtja e vjetër. Përkthimi i tij është i papërsërishtëm.”
Ai u shpreh se Fan Noli është një figurat themelore të Kishës Orthodhokse që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.