Nga Gazeta ‘SI’ – Një udhëzim i ri nga ministria e Bujqësisë dhe Financës ka thjeshtësuar proceset e përfitimit të naftës për fermerët.
Sipas ndryshimeve të botuara në Fletoren Zyrtare, dokumentet që kërkohen varen nga statusi i pronësisë apo përdorimit të tokës, si dhe regjistrimi i saj në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Skemat janë të ndara sipas katër situatave kryesore:
Nëse aplikanti është pronar i tokës në emrin e tij dhe ka certifikatë pronësie, duhet të dorëzojë: Certifikatën e pronësisë, Kartelën e pasurisë, Hartën treguese të ngastrës.
Për ata që kanë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) në emër të tyre si përfaqësues të familjes bujqësore, kërkohet vetëm dorëzimi i AMTP-së.
Në udhëzimin e mëparshëm për këtë kategori fermerëve iu kërkohej të dorëzonin edhe fragmentin apo skicën e hartës kadastrale ose planvendosje e vërtetuar nga Drejtoria e Administrimit të Tokës (DAMT) ose Njësia Administrative.
Udhëzimi i ndryshuar gjithashtu përcakton se për rastet kur aplikanti është anëtar i familjes që ka përfituar tokën do të vijojë të dorëzojë gjatë procesit të aplikimit përveç AMTP të tokës edhe Fragmentin e hartës kadastrale i vërtetuar, Certifikata familjare (gjendja më 1.8.1991) dhe Marrëveshje dakordësie nga shumica e familjarëve që tokën ta përdorë aplikanti.
Për rastet kur toka bujqësore është marrë me qira apo huapërdorje: Kontratë qiraje ose huapërdorjeje, Dokument i ligjshëm i firmosur nga palët, Dokumentet përkatëse të pronësisë së tokës.
Këto ndryshime synojnë të përshpejtojnë përfitimin e naftës dhe të ulin kostot e aplikimit për fermerët që shpesh janë përballur dhe me vonesa administrative.
Formulari i aplikimit plotësohet online nëpërmjet e-Albania. Aplikimet për përfitimin e naftës në bujqësi, përfshirë edhe 7 masat e tjera të skemave të mbështetjes në bujqësi do të zgjasin deri në 30 Maj 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.