Nga Gazeta 'SI' - Një draft i ri i dalë për konsultim, synon të fusë në lupën e Autoritetit të Konkurrencës edhe tenderat publikë.
Sipas projektligjit, Konkurrenca do të hetojë edhe prokurimet në rastet kur ka dyshime për bashkëpunim apo marrëveshje midis operatorëve.
Dokumenti që mban firmën e ministrit të Ekonomisë, Blendi Gonxhe, thekson se përveç gjobës së ndërmarrjes që kryen shkelje, gjobë deri në 5 mln lekë do të ketë edhe për individët.
“Lehtësimi i plotë nga gjoba nuk do t'u jepet ndërmarrjeve që kanë ndërmarrë veprime për të detyruar ndërmarrjet e tjera për t'u bashkuar në një marrëveshje të ndaluar ose për të qëndruar në të”, thuhet në draftin ku shtohet dhe një dispozitë e re, “ftesa për marrëveshje të ndaluar” që përcakton ndalimin për një ndërmarrje të propozojë, të detyrojë, një ndërmarrje tjetër për të marrë pjesë në një marrëveshje që synojnë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës.
Ndër të tjera, prokjektligji i ri shton në kompetencën e Konkurrencës 3 terma të rinj.
“Praktikë e bashkërenduar” është koordinimi ndërmjet ndërmarrjeve të cilat, pa arritur në fazën e lidhjes së një marrëveshjeje formale, bashkëpunojnë me vetëdije në praktikë duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg.
“Marrëveshje në oferta” është ajo marrëveshje ku ndërmarrjet gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për blerësit që dëshirojnë të prokurojnë produkte, shërbime ose punë nëpërmjet një procedure prokurimi apo kur bien dakord të koordinojnë ofertat e tyre në prokurimet publike si ofertë e mbuluar, në rotacion apo ndarje të tregut.
“Sekret tregtar” është informacioni që nuk është gjerësisht i njohur ose lehtësisht i aksesueshëm për personat që përgjithësisht merren me llojin e informacionit në fjalë; ka vlerë tregtare, sepse, përsa kohë nuk njihet nga të tjerët, i siguron ndërmarrjes një avantazh konkurrencial; u është nënshtruar hapave të arsyeshëm për ruajtjen e informacionit, sipas rrethanave, nga personi që zotëron në mënyrë të ligjshme informacionin për të mbajtur sekretin të fshehtë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.