Menaxhim

Ndryshojnë kriteret: Fermerët, naftë falas vetëm për mbjelljet e sezonit të parë sivjet

Nga Gazeta 'Si'-Mbështetja me naftë për fermerët këtë vit, ndryshe nga viti i shkuar, do të përfitohet vetëm për mbjelljet e sezonit të parë.

Grupi i kulturave bujqësore përfituese do të jetë për bimët e arave,drurëve frutorë dhe perimeve.

Gjithashtu, një tjetër ndryshim që vihet re në udhëzimin e përbashkët të ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Financave, ka të bëjë me madhësinë totale të fermës.

Tek kriteret e përfitimit për këtë vit, theksohet se madhësia e fermës parashikohet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 1 ha (nga 0.4 ha e zbatuar deri tani). Madhësia e parcelave mbetet e njëjtë, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 Ha.

Aplikantët me sipërfaqe deri në 10 Ha, përfitojnë 100% sasinë e naftës. Aplikantët me sipërfaqe mbi 10 ha, marrin sasinë e naftës me normativë të korrektuar/reduktuar, kur sasia e naftës në dispozicion nuk plotëson të gjithë kërkesën për këto sipërfaqe.

“Normativa e reduktuar del nga raporti i normativës së konsumit të naftës me një herës. Herësi del nga raporti: (i.) i nevojave për naftë të aplikuesve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar; me (ii.) sasinë e mbetur të naftës në dispozicion për vitin 2023, pasi janë plotësuar nevojat e të gjithë aplikuesve deri në 10 ha që janë kualifikuar si subjekte përfituese”, citohet në udhëzim.

Për këtë vit parashikohet që fondi i vënë në dispozicion për naftë falas është 1.3 miliard lekë. Gjatë vitit të shkuar përfituan naftë falas rreth 35 mijë fermerë me një fond prej rreth 1.95 miliard lekë.

Sasia e naftës falas duhet të tërhiqet nga përfituesit brenda datës 31 dhjetor 2023.

Fermeri do të deklarojë sipërfaqet e mbjelljeve të para të kulturave bujqësore, që përfshin mbjelljet në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës (1 tetor 2022 deri më 31 maj 2023). Sipërfaqja e deklaruar përfshin vetëm mbjelljet e para dhe llogaritet e kultivuar vetëm një herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë