Taksa

Ndryshime fiskale në 2023, nga heqja e TVSH-së për drutë te ‘shtrëngimi’ i bizneseve të mëdha

Nga Gazeta 'Si' - Ministria e Financave ka hedhur në konsultim publik masat fiskale të parashikuara për vitin 2023, të përbërë nga katër ligje që do të pësojnë ndryshime për shkak të situatës së krijuar në vend dhe Europë, lidhur me luftën në Ukrainë.

Përjashtimi nga TVSH

Në relacionin e ndryshimeve në ligjin e TVSH-së, MFE ka propozuar heqjen e TVSH-së për blerjet e artikujve të drurit në vend deri më datë 31 dhjetor 2023, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit final në mes të krizës energjitike ku gjendet vendi.

Nga TVSH-ja është propozur të përjashtohet edhe BSHEE, bursa e energjisë, në shërbimin e shitjes, importit dhe furnizimit, por ajo do t’i kalojë personit juridik për të cilin është kryer shërbimi, pra subjekti që blen ose shet energji nëpërmjet BSHEE-së. Bursa mori miratimin për të nisur punën pak kohë më parë, pas disa shtyrjeve të herë pas hershme dhe do të mundësojë tregtimin e eergjisë elektrike me rajonin dhe Europën.

Taksat kombëtare dhe Akciza

Më tej, në ligjin e taksave kombëtare qeveria synon heqjen e taksës për hirrën e qumështit dhe kremit të qumështit, pasi kjo ka dëmtuar eksportet e kompanive dhe nuk i ka bërë ato konkurruese.

Ligji për akcizat është propozuara po ashtu të ketë ndryshime. Akciza për birrën në vend do të unifikohet në një vlerë fikse, 720 lekë për hektolitër, për më pak se 200.000 hl. Në relacion përmendet se ky është një ndryshim i sugjeruar më herët nga FMN.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me pijet e forta alkoolike, me akcizë të unifikuar 84.500 lekë për hl, për çdo nivel prodhimi.  

Në kuadër të zbatimit të strategjisë për kursimin e energjisë si dhe subvencionimit të çmimit të paneleve diellore, ka propozuar heqjen e akcizës për akumulatorët për panelet diellore dhe makineritë elektrike.

Procedurat tatimore për bizneset e mëdha

Ndryshimet më të mëdha janë ato synuara në Administratën Tatimore, që lidhet me forcimin e penaliteteve për bizneset e mëdha në vend që nuk respektojnë sistemit fiskal. MFE propozon hartimin e një kuadri ligjor që përcakton procedurat e kontrollit të tatimpaguesve me të ardhura të larta.

Për shkak se është rritur dypunësimi, do të rishikohet dhe niveli i gjobës për mosdorëzimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave për individët që është detyrim për ta.

Po ashtu, do të rishikohet llogaritja e gjobës për mospagimin në afat të kësteve të tatimit mbi fitimin me qëllim që të nxisë tatimpaguesin në shlyerjen sa më parë të detyrimit.

MFE propozon që ata të detyrohen të depozitojë paratë në bankë me një limit arke, për të menaxhuar kështu rrjedhjen e parave të thata dhe duke kufizuar hapësirat për evazion fiskal.

Drejtoria e Tatimeve do të krijojë dhe databazën e individëve për shkak të rasteve të mosdeklarimit të të ardhurave dhe penaliteti për bizneset e mëdha që e praktikojnë këtë veprimtari, do të rritet.

Në rast se bizneset përsërisin shkeljet, Tatimet do të kallëzojnë penalisht subjektin.

Ndryshimet e propozuara në ligjin e procedurave tatimore janë të bazuara në rekomandimet e FMN.

Këto ndryshime janë momentalisht në kategorinë e konsultimit me qytetarit.

Në konferencën mujore, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se deri në fund të këtij viti qeveria ka shtyrë fuqizimin e ndryshimeve fiskale, pasi nuk është momenti i duhur për t’u fokusuar tek to. Në proces konsultimi, prej disa muajsh vazhdon të jetë dhe drafti i Amnistisë Fiskale, që sipas Ibrahimajt nuk dihet nëse do të jetë gati dhe vitin që vjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë