Gazeta Si – Sa më shumë rrugë bën Franca në Katar 2022, aq më shumë mundësi qëndrimi ka për trajnerin e saj, Didier Deshamp. Në fakt, është folur se vendin e tij do ta marrë shumë shpejt Zinedin Zidan, por mund të ketë një ndryshim plani dhe ‘Zizu’ mund të presë.
Shtypi francez ka shkruar së fundi për këtë çështje, duke evidentuar faktin se Zidan ka refuzuar oferta të ndryshme nga klube të mëdha pikërisht për t’u ulur në stolin e ‘gjelave’. Një nga këto oferta është edhe ajo e PSG-së.

Megjithatë, nëse Franca shkon në gjysmëfinale të Botërorit të Katarit, duke eliminuar Anglinë të shtunën, trajneri Deshamp e ka vetë në dorë të ardhmen. Në këtë rast do të jetë ai që do të thotë fjalën e fundit, nëse do të largohet, apo do të vazhdojë të drejtojë kampionët në fuqi të botës.
Për momentin, e vetmja gjë e qartë është se Deshamp, kontrata e të cilit me Federatën franceze përfundon në fund të Botërorit, nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me rinovimin. “Me trajnerin do të takohemi pas Botërorit”, – ka thënë presidenti i Federatës franceze, Noel Le Graet.
Një muaj më parë Zidan kishte pohuar për ‘Rmc Sport’ se ishte shumë afër akordit për t’u kthyer në punë, duke lënë të kuptohej se do të merrte drejtimin e kombëtares franceze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



