Art dhe Kulture

Ndriçim Xhepa, ikona e kinematografisë shqiptare feston 67-vjetorin

Aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa, sot feston 67-vjetorin. Xhepa, i biri i një tjetër ikone të kinematografisë shqiptare, aktores Margarita Xhepa, lindi më 21 janar 1957 në Tiranë. Pas mbarimit të studimeve për aktor, në Akademinë e Arteve, më 1979, fillon punën në Teatrin Kombëtar.

Ka interpretuar rreth 40 role, nga të cilët veçohen interpretimet tek “Nata e dymbëdhjetë”, “Romeo e Zhulieta”, “Prometeu”, “Në jetë”, “Monserrati”, “Vdekja e një komisioneri”, “Nën dritat e skenës”, “Nesër është vonë”, “Shkallët” etj.

Në vitin 1995 ai fiton çmimin “Aleksandër Moisiu” për aktorin më të mirë për shfaqjen “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër”.

Me shfaqjen “Kapitulli i Dytë”, ai fiton çmimin për “Aktorin më të mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit, “Apollon 2004”, në Fier. Që nga viti 1988 është pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Artit Skenik.

Në vitet ’90 interpreton role protagoniste edhe në produksione të pavarura në Shqipëri dhe hapësirat shqipfolëse.

Filmi "Flutura në kabinën time", Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani

Ndriçim Xhepa ka realizuar personazhe të spikatur që mbetën në kujtesën e publikut, edhe në kinematografi. Ai arriti sukses në rreth 30 filma: “Shokët”, “Kohë e Largët”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Përdhunuesit”, “Duaje emrin tënd”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Hije që mbeten pas”, “Flutura në kabinën time”, “Dasma e Sakos”, “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, “Unë e dua Erën” etj.

Ai është gjithashtu tre herë fitues i Kupës për Aktorin më të Mirë në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë