Menjëherë pas marrjes së detyrës së re, zëvendës ministri i Brendshëm Sandër Lleshi, ka lëshuar një urdhër të prerë për drejtuesit e Policisë së Shtetit.
Në një letër, Lleshi, duke iu referuar dhe protestave të fundit në Durrës për ndotjen e mjedisit dhe të zonave të banuara, ngre një problem shumë serioz që ka të bëjë pikërisht me djegien e mbeturinave.
“Siç jeni në dijeni, ditët e fundit është shtuar problematika lidhur me djegien e mbeturinave në vende të hapura pranë qendrave të banuara, si dhe në landfille, duke u kthyer kështu në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve pranë tyre”, – lexohet në letrën e tij.
Në përgjigje të shqetësimeve të banorëve ai i kërkon Policisë së Shtetit të marrë masa urgjente dhe të mbajë nën kontroll situatën duke bashkëpunuar me institucionet vendore.
“Informacionet e fundit tregojnë se Qarqet më problematike janë ato të Durrësit, Vlorës, Kukësit, Tiranës dhe Dibrës. Nisur nga sa më sipër, kërkoj që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit, – vijon Lleshi. – Për këtë, ato të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat përgjegjëse në Prefektura, Bashki, Njësi Administrative, si dhe me ato të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me qëllim ndalimin e zjarreve në landfille dhe vende të hapura publike”.
Në fund, zv.ministri i Brendshëm tërheq vëmendjen që strukturat e Policisë të komunikojnë edhe me kompanitë e kontraktuara për pastrimin e qyteteve/njësive vendore, për t’i dhënë fund një fenomeni të tillë të rrezikshëm. Lleshi, kërkon nga Policia e Shtetit raportime të veçanta ditore për këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.