Libra

“Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë”, një çlirim frike

Nga Luljeta Nelallari - Mister, frikë, tmerr… brenda një realiteti plot ankth e që rrjedh para syve në forma të paimagjinuara. Në një dimension të tillë shkrimtari Enkelejd Lamaj sjell përmbledhjen e re me tregime “Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë”, botim i Shtëpisë Botuese Dudaj.

Ajo që e dallon shkrimtarin Lamaj është lëvrimi i një zhanri të veçantë që është zhanri horror apo thriller.

Përmbledhja me tregime na përball me qenie të pabesueshme dhe shpirtra të grisur nga mizori të egra, që enden nëpër humnera absurde pa rrugëdalje, por edhe atmosfera të qeta, që papritmas shpërthejnë, duke na vënë para një forme të veçantë të tmerrit. Duke kaluar nga një tregim te tjetri, lexuesi vihet para një tensioni të vazhdueshëm midis dëshirës për të gjetur kurajë në errësirë dhe kthyer faqen tjetër dhe dëshirës për të vrapuar dhe dalë në dritë.

Në një intervistë për Gazetën “Si”, shkrimtari Lamaj rrëfen detaje të këtij libri plot makth, ngjarje dhe mister. Ai sqaron ndër të tjera se të shkruash për frikën “nuk do të thotë të shkruash vetëm për të shkaktuar frikë, por edhe për ta çliruar atë”. 

“Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë” është libri juaj më i ri me tregime, pse pikërisht ky titull?

Kur vendosa se libri i radhës që do të publikoja do të ishte një përmbledhje me tregime, i vendosa vetes edhe një kusht tjetër: që titulli i përmbledhjes nuk do të kishte titullin e një tregimi, siç kisha bërë me dy përmbledhjet e para (“Fytyra tjetër e natës” dhe “Libri i bardhë”). Nuk është diçka e pazakontë kjo gjë, përkundrazi, në zhanrin horror është diçka e zakonshme. Por titulli u vendos nga diçka që më kishte mbetur në mendje nga romani më i fundit që kisha publikuar, “Ajo e errëta”. Në këtë roman, një prej personazheve thotë tekstualisht: “Fantazmat e lënë që ç’ke me të vendin ku kanë vdekur. E lënë dhe vijnë e jetojnë brenda teje. Ndonjëherë rrinë pak, aq sa u duhet për të bërë do gjëra lesh e li e pastaj shkojnë sërish andej nga kanë ardhur. Por, ndonjëherë, qëndrojnë, aty me ty, përgjithmonë”. Pikërisht prej këtyre fjalëve e kuptova që përmbledhja e radhës me tregime do të kishte titullin “Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë”, por, sigurisht, duke mos iu referuar vetëm fantazmave.

Çfarë i bashkon këto tregime?

Mendoj se i bashkon universi ku zhvillohen ngjarjet dhe ku jetojnë dhe vdesin personazhet e këtyre ngjarjeve. Ky nuk është domosdoshmërisht një univers i errët, plot makthe të frikshme, jo, përkundrazi. Por është një univers ku gjithçka në hapësirë dhe kohë është ciklike dhe ku të gjitha ngjarjet janë të lidhura rrënjësisht me njëra-tjetrën nga dy forca elementare, “Qëllimi” dhe “Rastësia”, që, nga ana e tyre, janë vazhdimisht në luftë me sho-shoqin, luftë kjo që prek të gjitha botët dhe jetët e secilit prej personazheve.

Në ndonjërin nga këta tregime, a ka histori personale apo janë të trilluara?

Jo, në asnjërin prej këtyre tregimeve nuk ka histori personale... për fat të mirë. Nuk më pëlqen t’i bazoj subjektet e tregimeve të mia në ngjarje të vërteta, parapëlqej t’i bazoj në trillime të vërteta. Sigurisht që ndonjë ide mund të lindë ose do të marrë shkas nga një ngjarje e vërtetë, qoftë edhe personale, por jo, historia që shkruaj, është gjithnjë e trilluar. Dhe kjo nuk duhet të ngatërrohet me vendin dhe kohën e ndodhjes së ngjarjeve në tregim. Çdo tregim ndodh në një vend dhe kohë të caktuar dhe këto, mund të ndodhë që të jenë realë, me referenca realë në jetën e përditshme, por ajo që ndodh në këtë vend dhe hapësirë, është dhe mbetet e trilluar.

Libri me tregime

Libri përshkohet nga letërsia horror, si arrini të shkruani për frikën?

Lovecraft ka një shprehje, që thotë: “Emocioni më i vjetër dhe më i fortë i njerëzimit është frika, dhe lloji më i vjetër dhe i fortë i frikës është frika nga e panjohura”. Mendoj se frika është baza e ekzistencës së njeriut, që dikton shumë zgjedhje dhe aspekte të jetës së tij, edhe atëherë kur nuk ka frikë. Ne themi që frika është për të gjallët, por në tregimet e mia kam zbuluar se, ndonjëherë, ajo nuk është vetëm për të gjallët. Për këtë arsye nuk është aspak e vështirë të shkruaj për frikën, përkundrazi. Por të shkruash për frikën nuk do të thotë se po shkruan vetëm për të shkaktuar frikë, por për ta çliruar atë. 

A lidhet kjo me letërsinë që ju keni lexuar deri tani?

Sa i përket lidhjes me letërsinë që lexoj, po, pa diskutim që ajo që shkruaj është e lidhur me të. Mendoj se kjo gjë ndodh për çdo shkrimtar. Ndonjëherë mendoj se nuk kam qenë unë ai që ka zgjedhur këtë zhanër, por ka qenë e kundërta. Nuk e them këtë thjesht në kuptimin figurativ; unë kam lexuar shumë, që i vogël, por leximet e para nuk kanë pasur aspak të bënin me letërsinë horror, apo thriller, përkundrazi, me këtë letërsi jam njohur shumë më vonë. Dhe vetëm atëherë, pas njohjes me këtë lloj letërsie, u vu në lëvizje ai mekanizmi i çuditshëm dhe i pashpjegueshëm që ka çdo shkrimtar në kokë dhe që dikton jetën e tij letrare. Tek unë, ky mekanizëm u vu në lëvizje pikërisht nga ky zhanër dhe vetëm me atë punon më mirë.

Si ka ndikuar lëmi dhe aktualiteti shqiptar në shkrimin e letërsisë thriller apo horror?

Me thënë të drejtën kohët e fundit sikur na është vështirësuar disi puna. Aktualiteti sot është plot me thriller e plot me horror, saqë duhet të matesh mirë e të bësh shumë kujdes para se të shkruash, në mënyrë që të mos riprodhosh ngjarje apo rrethana të caktuara, të ndodhura realisht. Por, nga ana tjetër ama, duhet thënë se pikërisht në një aktualitet të tillë është më e lehtë për të gjetur sugjerime dhe ide.

A është shkrimi në këtë zhanër edhe si sfidë për ju?

Sigurisht që është. Vetë të shkruarit është një sfidë më vete dhe jo thjesht dhe vetëm për punën e madhe që kërkohet për të shkruar, për të rishkruar, për të korrigjuar derisa historia të marrë formën përfundimtare, por edhe për gjetjen e subjektit, krijimin e personazheve dhe radhitjen e ngjarjeve. Imagjino ditën e parë, kur gjithçka e ke ende vetëm në kokën tënde dhe ulesh para faqes së bardhë dhe, pavarësisht se e ke përsëritur me vete me dhjetëra e dhjetëra herë, prapë nuk di se nga t’ia fillosh. Por në qoftë se të gjitha këto janë të njëjta për çdo libër të çdo zhanri, kur shkruan në zhanrin thriller apo horror t’i gjendesh para ca sfidave akoma edhe më të mëdha. Këtu sfida kryesore që të duhet të kapërcesh është vetë lexuesi. Ti i jep atij një makth, një ngjarje apo mister, si dhe elementët për ta zgjidhur atë dhe lexuesi është, deri diku, “i detyruar” ta pranojë sfidën. Kjo është ajo që e dallon këtë zhanër nga të tjerët: përfshirja më e madhe e lexuesit në punën e reagimit ndaj një makthi apo zbulimit të një ngjarje ose misteri, në dukje të pashpjegueshme. Në çdo rast, për mua këto mbeten sfida të vazhdueshme, që kapërcehen me vendosmëri dhe ambicie. Dhe sigurisht punë, shumë punë.

Çfarë pritshmërie keni për librin tuaj më të ri, duke qenë se ky zhanër është pak i lëvruar në vendin tonë?

Çdo autor, mendoj, dëshiron që libri i tij të shkojë te sa më shumë lexues; që historia apo historitë që ka shkruar të prekin sa më shumë zemra e, në rastin konkret, të shkaktojnë edhe pak frikë. Në qoftë se do të bëja një krahasim me librin tim të parë, pastaj me atë të dytë e kështu me radhë, do të thosha se ka një interesim që ka ardhur gjithnjë e në rritje nga ana e lexuesve. Shoh që edhe vetë, si zhanër, ka filluar të jetë më i kërkuar se dikur. Shpresoj që ky libër të mbushë sadopak boshllëkun e lënë nga mungesa e botimeve të këtij zhanri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë