Rend dhe Ligj

Video / Momenti kur Altin Ndoci ikën me vrap, polici e ndjek me armë!

Gazeta Si – Në momentin që Altin Ndoci ka dalë jashtë ambienteve të Spitalit të Durrësit, ku ndodhej për mjekim, ka vrapuar drejt zonës së parkimit të automjeteve.

Gazetasi.al ka siguruar momentin kur 39-vjeçari shihet teksa vrapon jashtë spitalit për të hipur në automjetin tip “Audi Q7” që e priste për ta larguar nga aty.

Ndërkohë, oficeri i policisë Fatjon Baci po e ndiqte nga mbrapa, por pa rezultat pavarësisht se qëlloi me armë zjarri në ajër.

Pas arratisjes së Altin Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve, ka vendosur pezullimin e të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit së bashku me stafin mjekësor, ku i burgosuri ndodhej për mjekim.

Sipas burimeve, masa përfshin drejtorin e institucionit, shefin e policisë së burgjeve dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pas analizimit të kamerave të sigurisë dhe marrjes në pyetje të zyrtarëve, pritet të dalin edhe konkluzionet lidhur me përgjegjësitë penale për skandalin e arratisjes.

Po çfarë dihet deri tani për arratisjen e Altin Ndocit? Ai dyshohet të jetë arratisur në momentin kur është lënë vetëm brenda tualetit në dhomën e vizitave në spital, ndërsa ka dyshime se mund të jetë ndihmuar, së paku për t’u larguar nga jashtë ambienteve.

Reparti i Infektivit, ndodhet në godinë më vete brenda spitalit rajonal të Durrësit. Godina është me 3 kate dhe vetëm dritaret e katit të tretë janë me hekura, pasi aty ndodhet dhoma e posaçme për vizitat e të paraburgosurve ose të dënuarve.

Sipas burimeve paraprake, kanë qenë 2 policë që kanë shoqëruar në dhomën e kontrollit për vizitë. Tualeti ndodhet brenda dhomës së kontrollit, në katin 3 të repartit infektiv.

Altin Ndoci ka kërkuar të futet në tualet, e ka shoqëruar njëri nga policët dhe e ka pritur te dera e tualetit brenda dhomës.

Polici tjetër qëndronte brenda dhomës, në një cep tjetër të saj. Altin Ndoci ka dalë dhe ka znbrapsur dy efektivët.

Më tej, ka goditur derën (e mbyllur me çelës nga brenda). Policët kanë dalë disa sekonda pasi 39-vjeçari është larguar nga dera kryesore e infektivit sipas regjistrimit të kamerave sigurisë të vendosura jashtë spitalit.

Makina “Audi” me të cilën u arratis pas daljes nga spitali Altin Ndoci

Altin Ndoci ka zbritur nga shkallët, ka dalë nga dera kryesore e godinës dhe me vrap ka ecur drejt traut të vendosur në hyrje të godinës së spitalit për parkimin e brendshëm të makinave.

Kjo lëvizje, nga dera e infektivit, te trau në dalje të spitalit, nuk është as 50 metra. Direkt pas traut, e priste një automjet, tip “Audi A7” luksoz ku dhe ka hipur për t’u larguar në drejtim të paditur.

Pak sekonda pas largimit të tij nga pavioni i Infektivit në Spitalin e Durrësit, një polic i Burgjeve është fotografuar jashtë ambienteve, duke ndjekur nga pas me një pistoletë në dorë të burgosurin.

Mësohet se, në tentativë për ta ndaluar, ai qëlloi në tokë për ta neutralizuar dhe plumbi goditi tokën për fat pa lënduar njeri.

Nga ana tjetër, në një foto dallohet Ndoci teksa vrapon, pasi kishte dalë nga dhoma e infektivit, ku e priste automjeti luksoz “Audi Q7” me targa të vjedhura me të cilin u largua.

Pas arratisjes, postblloqe të shumta policie janë ngritur në rrugët e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Policia e Durrësit, përveç kontrolleve në qytet dhe fshatrat përreth ka shtrirë kontrollet edhe në Kavajë. Ndërsa në qarqet kufitare, Fier, Tiranë, Lezhë, e më gjerë ka pika kontrolli ne hyrje të qyteteve.

Ndoci akuzohet nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja. Hetimet për këtë organizatë u mbyllën dhe dosja u çua për gjykim në tetor të 2025-s.

Ndoci dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kriminal të të shumëkërkuarit Talo Çela dhe akuzohet për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë