Lajme

Zjarret, helikopterët holandezë dhe çekë mbyllin misionin në Shqipëri

Misioni i ekipeve ushtarake holandeze dhe çeke ka përfunduar me shuarjen e thuajse të gjitha vatrave të zjarrit në vend.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka publikuar foto nga ceremonia e falënderimit dhe përcjelljes së trupave dhe mjeteve që asistuan në këtë operacion.

Peleshi shprehet se BE ka mundësuar mbështetje të jashtëzakonshme teksa Shqipëria u përball me një situatë kritike zjarresh për shkak të temperaturave të larta në vend.

“Sot u përmbyll operacioni i skuadrës holandeze në “luftën” kundër zjarreve, një situatë e vështirë që përjetoi vendi jonë gjatë muajit të fundit. Bashkimi Evropian na mundësoi nëpërmjet mekanizmave të tij një mbështetje të jashtëzakonshme! U përballëm me një situatë kritike zjarresh për shkak të temperaturave shumë të larta. Sot mund të themi se këtë sfidë e përmbyllëm me sukses, pavarësisht se gatishmëria e forcave të mbrojtjes civile vazhdon të jetë e lartë. Faleminderit Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Holandës dhe Republikës Çeke për ndihmën në helikopterë dhe trupa!”, – shkruan Peleshi.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca i pranishëm në aktivitet falënderoi ekipet holandeze dhe çeke për ndihmën dhe kontributin mjaft pozitiv që kanë dhënë për të mbrojtur mjedisin e shpëtuar jetë.

Po ashtu ai falënderoi shtetin shqiptar për solidaritetin që tregoi me pritjen e 120 trupave të parë afganë që mbërriten në Shqipëri.

Helikopterët holandezë dhe ai çek, që prej datës 6 gusht iu bashkuan përpjekjeve të Forcave të Armatosura dhe autoriteteve të tjera lokale për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë