Datat 6 dhe 9 gusht të vitit 1945 mbahen si dy nga më tragjiket e historisë së botës. Nga qielli u lëshuan mbi Hiroshima dhe Nagasak bombat atomike që ndryshuan përgjithmonë historinë e njerëzimit. Por 83 vite më pas gjërat kanë ndryshuar shumë dhe në kujtim të asaj ngjarje tragjike, luhet futboll.
Dy skuadrat e këtyre dy qyteteve që tashmë do të luajnë në ligën J të Japonisë, (kategoria më e lartë) janë përballur në një ndeshje përkujtimore.
Përballja u quajt “ndeshja e paqes” dhe u luajt në “Edion Stadium”. Siç ndodh zakonisht në të tilla raste, takimi filloi me një minutë heshtje.
Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-0 në favor të skuadrës së Nagasakit, por këto shifra, ishin ato që kishin më pak rëndësi në këtë sfidë. Nëse Hiroshima është një skuadër e konsoliduar në Japoni dhe prej vitesh luan në elitë, Nagasaki është debutuese dhe do të përpiqet të jap maksimumin e saj për të qëndruar.
Për kapitenët e të dyja skuadrave ndeshja ishte shumë emocionuese, pasi kishte sipër peshën e madhe të mijëra viktimave që ndërruan jetë në sulmet bërthamore.
Të dyja skuadrat nuk ishin me uniformat e tyre të zakonshme, por me veshje që përkujtonin viktimat e sulmeve me bombë atomike. Momente të veçanta gjatë ndeshjes, ishin kur në minutën e 6’, lojtarët e Nagasakit nxorrën topin jashtë, në përkujtim të datës 6 gusht të vitit 1945, kur u lëshua bomba e parë bërthamore. Ndërsa në minutën e 9’, topi u nxorr jashtë nga lojtarët e Hiroshimës.
Gjithashtu në fanellat e lojtarëve të Hiroshimës ishte i shkruar numri 86, ndërsa tek ata të Nagasakit 89’ që korrespondonin me numrat e bombave që u lëshuan mbi dy qytetet japoneze.
Në dy sulmet me armë bërthamore në Nagasaki dhe Hiroshima gjatë luftës së dytë botërore humbën jetën më shumë 129 mijë njerëz, pjesa më e madhe tyre civilë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.