Portofol

Pronari që jep truallin për ndërtim do të paguaj taksa

Je investitor në fushën e ndërtimit dhe të ka ardhur në majë të hundës duke paguar edhe taksat e pronarit të tokës të cilit ia blen për të ndërtuar në të?

Kjo nuk do të ndodhë më me ndryshimet që i janë bërë ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Skema e re e tatimit të investitorit dhe pronarit të truallit në ndërtim synon që të tatojë në mënyrë të drejtë pronarët e truallit dhe investitorët që operojnë në fushën e veprimtarive të ndërtimit dhe shitjes së ndërtesave (me destinacion strehimi, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi), në të gjitha rastet kur trualli  transferohet nga pronari i tokës, sipas një kontrate këmbimi të tokës me sipërfaqeve ndërtimi tek investitori që ndërton.

Kreu i Shoqatës së Ndërtuesëve Maksim Muçi tha "Si" se ndryshimet aktuale të bëra në ligj vënë drejtësinë në vend për investitorët në fushën e ndërtimit.

“Ne kemi 10 vjet që e kërkojmë një gjë të tillë që prej vitit 2008 kur u miratua ligji. Ishte e padrejtë. Ne aktualisht  paguajmë tatim jo vetëm për pjesën që shesim, por edhe për pjesën që merr pronari i truallit. Kurse pronari i truallit paguan tatim vetëm për pjesën që shet, jo për pjesën që mban. Atë ia paguajmë ne dhe është krejtësisht e padrejtë. Më në fund e hoqën. Me ndryshimet e bëra në ligj, pronari i truallit do të paguajë detyrimet që duhet të paguajë për pjesën që merr nga ne në bazë të kontratës, nuk kemi pse i paguajmë ne.”.

Si funksionon skema aktuale?

Me skemën aktuale investitori mbart totalisht barrën e tatimit mbi fitimin e realizuar nga individi.

Sipas dispozitës aktuale “.... Për veprimtaritë e ndërtimit dhe shitjes me destinacion për strehim, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi, në të ardhurat që i tatohen investitorit, llogariten edhe të ardhurat që i korrespondojnë pjesës së sipërfaqes së ndërtimit që përfitojnë pronarët e truallit për rastet e kontratave të këmbimit truall-sipërfaqe ndërtimi.”.

Investitori ngarkohet me një barrë tatimi e cila nuk i takon të ardhurave faktike nga shitja që ai realizon. Pra investitori rrit në mënyrë fiktive të ardhurat e veta, gjë që bie në kundërshtim me parimin e taksimit direct, pasi nuk është investitori ai që ka krijuar fitim nga shitja e pjesës së pronarit, por individi.

Si do të funksionojnë ndryshimet?

Ligji aktual i njeh investitorit si shpenzim vlerën e truallit të shkëmbyer me sipërfaqen e ndërtimit, por ky shpenzim kufizohet në koston minimale fiskale të ndërtimit për m2, të shpallur për efekt të Entit të Banesave, duke krijuar për investitorin një të ardhur neto (të ardhura – shpenzim) fiktive për pjesën e ndërtimit që investitori e jep në këmbim të truallit.

Me ndryshimet e bëra që priten të miratohen në Parlament pas diskutimit në komisionet kuvendore, pronari i truallit dhe investitori do të tatohen në mënyrë të drejtë secili për të ardhurat që realizon nga veprimtaria e vet.

Ky ndryshim ligjor vjen njëkohësisht në koherencë me ngritjen e kadastrës fiskale, ku çdo pronë do të ketë dhe vlerën fiskale të regjistrimit dhe taksimit të drejtë të saj.

Ndërkohë, është ndërmarrë nisma për ndryshimin e udhëzimit nr.9, të përbashkët të ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe ministrit të Drejtësisë, me qëllim saktësimin e procedurës dhe bazës së taksës për individët, në rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ku përfshihet edhe shitja e pasurive të paluajtshme ndërtesa, të përfituara nga një kontratë shkëmbimi truall/ndërtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë