Treg

Ndërtimi dhe lejet e dhëna për banesa kapin rekorde historike

Numri i lejeve të ndërtimit  për banesa të dhëna nga autoritetet në Shqipëri shkon drejt rekordeve historike.  Kur duhen edhe tre muaj të tjerë që të mbyllen zyrtarisht statistikat vjetore, të dhënat nga INSTAT tregojnë se numri i lejeve vetëm për këtë pjesë të vitit  ka arritur në 793. Kjo është shifra më e lartë që prej të paktën 2016-ës. Nëse edhe për tre muajt e mbetur do të vijohet me leje të reja ndërtimi vetëm sa e rrit rekordin.

Viti më i mirë ka qenë 2018 me 770 leje ndërtimi. Diçka më pak leje, 741 të tilla, janë dhënë për ndërtim banesash në vitin 2019 . Por vetëm për këto 9 muaj janë dhënë leje më shumë se edhe vit më i mirë. Gjatë vitit pandemik 2020 u dhanë më pak leje ndërtimi por gjithsesi  më shumë se  në 2017 dhe 2016.

Ky rekord  në numrin e lejeve është shoqëruar edhe më një rekord tjetër, atë të sipërfaqeve të banimit të ndërtuara. Nëse në dy vitet më të mira, 2019 dhe 2020 janë ndërtuar 1,2 milion metra katror banesa për ccdo vit. Vetëm në 9 muajt e këtij viti janë ndërtuar 1.4 milion metra katrorë.

Në 2019 (12 muaj) vlera e banesave sipas të dhënave zyrtare ishte 45 miliard lekë por në 2021 kjo vlerë vetëm për 9 muaj është vetëm 2 mld më pak.

Që prej vitit 2019 vlera e banesave të ndërtuara dhe të deklaruara është dukshëm disa fish më e lartë.

Ky përqendrim dhe kjo ofertë kaq e lartë në treg për banesa të reja në të gjithë  Shqipërinë ecën jashtë konteksit demografik.

Sipas INSTAT Indeksi sintetik i fekonditetit ka rënë: nga viti 2011 kur ishte 1.65 fëmijë për grua, në 1.34 në vitin 2020.

Numri i vdekjeve ka mbetur afërisht në të njëjtin rend 20-22 mijë që prej 2011-2019 me përjashtim të vitit 2020, ku numri i vdekjeve ishte më i lartë për shkak të COVID-19 ky sipas statistikave qeveritare vdiqën 28 mijë shqiptarë.

Kjo ulje e lindjeve dhe fertiliteti, numri i vdekjeve nuk prodhon kërkesë të lartë që të justifikojë ofertën në ndërtim banesash, sicc nuk e justifikon edhe emigracioni i lartë ku Shqipëria krahasimisht renditet ndër vendet në konflikt të armatosura për kërkesa të larta për azilantë..

Gjatë viteve 2011-2020 vlerësohet se mesatarisht 42 mijë persona emigruan çdo vit .

Në të gjithë këtë ofertë Kryeqyteti mban rekordin. Në Tiranë, për 9 mujorin  e vitit 2021 janë  dhënë 73% e totalit të lejeve në rang kombëtar.

Raportet e ndryshme kanë treguar se ndërtimi është fusha e artë për paratë e pista.

Shqipëria ka mangësi në luftën kundër pastrimit të parave dhe ndodhet në listën gri të Monyval një strukturë e Këshillit të Europës për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave në një përqindje të lartë të rasteve të identifikuara, nuk dihet origjina e parave të pista dhe në 30% të rasteve që dihen ato vijnë nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Edhe në raportin e Drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave për vitin 2020, vihet re se nga raportimi i aktiviteteve të dyshimta mbizotërojnë tipologjitë që lidhen me blerje të pasurive të paluajtshme, transferta të dyshimta etj.

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) thotë se, bazuar nga të dhënat e agjencive imobiliare, ekziston mundësia e pastrimit të parave për prona me vlerë mbi 150,000 euro. 

Agjensitë imobiliare ndërkohë konstatojnë rritje të pandalshme të cmimeve, vecanërisht në kryeqytet , të cilat për banesa brenda unazës ka rritje 10-15 përqind.

Shifrat e fundit nga INSTAT megjithëse nuk mbështeten nga një kërkesë e lartë për banesa po tregojnë se ndërtimi po ka kapur shifra rekord. Në mos të faktuara por me dyshime të forta se në ndërtim po ndodh pastrimi i parave numri i lartë i lejeve të ndërtimit të dhëna nga autoritetet  po e ndihmon industrinë kriminale e cila po i ofron  publikut një shërbim me kosto të lartë që  po iu shemb duke iu zhvlerësuar kursimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë