Lajme

Ndërron jetë Sabit Brokaj, ish-ministër i Mbrojtjes në 1997

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, ish-deputeti dhe ish-ministri i Mbrojtjes në vitin 1997, Sabit Brokaj.

Brokaj lindi në Vlorë më 1942. Arsimimin dhe karrierën e orientoi mes mjekësisë dhe ushtrisë

Nga 1972 në 1984, Brokaj punoi si kardiolog në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe, Brokaj ishte një nga mjekët personalë të Enver Hoxhës.

Brokaj u aktivizua në politikë pas rënies së komunizmit, fillimisht si ministër Shëndetësie. U zgjodh deputet i PS në zgjedhjet e 1991 dhe më pas në zgjedhjet e 1996 dhe 1997.

Në  korrik 1997, Brokaj u emërua ministër i Mbrojtjes në periudhën më të vështirë të ushtrisë shqiptare, depot e armëve të së cilës ishin boshatisur gjatë trazirave të atij viti.

Brokaj ishte një prej zërave që kundërshtuan publikisht marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009. Ai tha se me atë marrëveshje Greqia siguronte akses në Otranto dhe akuzoi se në pamundësi për t’u zgjeruar me Turqinë, Athina po përdor Shqipërinë si “kockë të lehtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë