Nga Gazeta “SI” – Val Kilmer, i njohur gjerësisht për rolet e tij në filmat “Batman Forever” dhe “The Doors”, ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare. Kilmer ishte trajtuar për kancer në fyt pasi u diagnostikua në vitin 2014, derisa avancimi i sëmundjes e la tërësisht pa zë. Vajza e aktorit, Mercedes Kilmer ka deklaruar se i ati vdiq nga penumonia.
Aktori 65-vjeçar fitoi famë gjerësisht në vitet 1980 kur së bashku me yllin tjetër të kinematografisë Tom Cruise, luajtën në filmin “Top Gun”. Kilmer lindi më 31 dhjetor të vitit 1959 në Los Angeles të Kalifornisë dhe u rrit në Chatsworth në Los Angeles.

Një nga rolet e tij më të paharrueshme ishte ai i Jim Morrison në filmin The Doors (1991) të Oliver Stone. Kilmer mësoi përmendësh tekstet e të gjitha këngëve të Morrison-it para audicionit dhe u zhyt plotësisht në rol, duke veshur rroba të ngjashme me ato të këngëtarit për gati një vit.
Në vitin 2021, u publikua një dokumentar mbi jetën e tij. Djali i tij dha zërin për aktorin, dhe filmi përdori qindra orë video që ai kishte regjistruar gjatë viteve, duke ofruar një vështrim të thellë në xhirimet ku ai kishte punuar duke e treguar aktorin si një mendimtar introspektiv me shpirt artisti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




