Njerez

Ndërron jetë në moshën 53-vjeçare Eric Dane, ylli i ‘Grey’s Anatomy’

Aktori i njohur amerikan Eric Dane, i famshëm për rolet e tij në serialet “Grey’s Anatomy” dhe “Euphoria”, ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare.

Ai u nda nga jeta pas një beteje me sëmundjen e Sklerozës Laterale Amiotrofike (ALS), e cila prek qelizat nervore përgjegjëse për lëvizjen e muskujve dhe njihet gjithashtu si sëmundja e Lou Gehrig.

Dane kaloi ditët e fundit i rrethuar nga miqtë e ngushtë, bashkëshortja e tij, Rebecca Gayheart dhe dy vajzat e tyre, Billie dhe Georgia. Pas diagnostikimit në vitin 2025, aktori u angazhua për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e kërkimeve shkencore për këtë sëmundje, për të cilën ende nuk ka kurë.

Eric Dane u bë i njohur me rolin e Dr. Mark Sloan në “Grey’s Anatomy”, ku fitoi nofkën “McSteamy” dhe u kthye në një nga personazhet më të dashur të serialit. Ai ishte pjesë e produksionit nga sezoni i tretë deri në të nëntin, ndërsa u rikthye sërish në sezonin e 17-të. Më vonë, ai interpretoi rolin e Cal Jacobs në serialin e suksesshëm “Euphoria”.

Në intervistat e fundit, aktori theksonte se dëshironte të kalonte sa më shumë kohë me familjen dhe të vazhdonte të punonte sa të mundej.

“Do të luftoj deri në frymën e fundit”, ishte shprehur ai, duke folur për shpresën që të shihte vajzat e tij të rriteshin dhe të realizonin ëndrrat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë