Njerez

Ndërron jetë ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini

Qazim Sejdini, kryebashkiaku socialist që drejtoi Elbasanin për tre mandate me radhë, ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Pas tre mandatesh në krye të Bashkisë së Elbasanit, emri i Qazim Sejdinit nuk u vendos më në listën e votimit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Qazim Sejdini u kthye në një nga figurat më popullore të Elbasanit, pasi e drejtoi bashkinë për 12 vjet nga viti 2007 deri në vitin 2019.

Ai e nisi karrierën politike nga posti i prefektit në vitin 2002. Më herët, Qazim Sejdini ka qenë President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe president i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri.

Prej kohësh, Sejdini nuk ishte shfaqur më as në takimet e Partisë Socialiste.

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

“Mik. Elbasanlli i mençur e fjalëpakë. Kryebashkiak i mirë dhe burrë zotni”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

“La një gjurmë në historinë e qytetit dhe një kujtim të mirë tek shumë miq që bëri në jetën e tij pa zhurmë. Prehu në paqe i dashur Qazim”, thekson Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë