Ka ndërruar jetë jetë në moshën 72-vjeçare Thimio Kondi, konstitucionalisti, avokati, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë dhe ish-ministër i Drejtësisë.
Kondi ka dhënë një kontribut të vyer në jurisprudencën shqiptare, duke ndihmuar në plotësimin e vakuumit ligjor që pasoi rrëzimi i komunizmit.
Ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1977. Nga viti 1978 deri në vitin 1982, ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier. Në vitet 1982-1990 ka ushtruar detyrën si specialist në Sektorin e Studimeve në Gjykatën e Lartë dhe gjatë viteve 1990 – 1992 ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Studimeve në Ministrinë e Drejtësisë.
Në vitet 1992 – 1994 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese. Në vitet 1995 – 1997 ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Qendrës Shqiptare të të Drejtave të Njeriut. Në vitet 1997 – 1999 ka ushtruar detyrën e ministrit të Drejtësisë dhe më pas nga 1999 deri 2008 ka ushtruar detyrën si kryetar i Gjykatës së Lartë.
Njëkohësisht me këtë pozicion, ka ushtruar edhe funksione dhe detyra si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kryetar i Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, kryetar i Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Gjatë viteve 2008- 2013 i është rikthyer profesionit si avokat. Ai ishte anëtar i Bordit Këshillimor të Shoqatës Ndërkombëtare për Administrimin e Gjykatave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




