Gazeta Si – Një gardian i burgut të Shënkollit ka ndërruar jetë pak pas përfundimit të turnit të tretë për shkak të problemeve shëndetësore.
Por vdekja e Gjovalin Frrokut, 62 vjeç, ka sjellë një reagim nga ana e Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë.
Ata bëjnë përgjegjës mungesën e ndihmës nga ana e institucioneve në një kohë të shpejtë.
Sipas tyre, të ndjerit i është bërë një kontroll rutinë brenda burgut dhe nuk është lejuar që të dalë nga godina pa mbaruar turnin, për të marrë ndihmë më të specializuar.
“Është lënë në gjendje të tillë, deri sa ka mbaruar shërbimin dhe pastaj kolegët e kanë dërguar në urgjencën e spitalit të Lezhës, ku menjëherë e kanë orientuar për në urgjencën spitalore të Tiranës. Por, zemra nuk pret mbarim shërbimi e burokraci eprorësh, pasi gjatë rrugës për në Tiranë, punonjësi ka ndërruar jetë”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Shërbimeve Policore.
Ndër të tjera, sindikata kërkon që të ketë protesta para institucioneve në Tiranë për shkak të problemeve shëndetësore të punonjësve të policisë dhe mungesës së mjekut të punës.
“Mungesa e mjekut të punës sipas ligjit, mungesa e trajtimit ushqimor, mungesa e uniformave, pagat e ulëta dhe demotivimi në shërbim, po sjellin pasoja të rënda! Nuk e dimë se sa do të vazhdojë kjo gjendje dhe kush mban përgjegjësi për situatën e krijuar ndër vite pasi deri më sot, ata që kanë hequr të drejtat legjitime të punonjësve, vazhdojnë të bëjnë show duke betonuar paudhësitë e tyre në kurriz të mijëra kolegëve me uniformë”, thuhet në reagim.
Sindikata e Shërbimeve Policore, thotë se punonjësit në sistemin e burgjeve kërkojnë zbatimin e VKM-së në favor të Policisë së Burgjeve në lidhje me heqjen e taksës mbi pagën 30-40 mijë lekë e përgjysmim të saj për pagat 40-50 mijë.
“Dikush duhet dhe do mbajë përgjegjësi për situatën e rëndë që vazhdon prej vitesh”, – përfundon reagimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




