Nga Gazeta Si- Vetëm një ditë më parë Margarita Xhepa mbushi 91 vjeç dhe sot e gjithë kinematografia shqiptare vajton ikjen e saj.
Nderi i Kombit, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe më shumë se 30 role në kinematografi.
Xhepa u aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor. Spikati në plejadën e kohës përmes interpretimit të rolit të Ofelisë të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.





Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.
Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit.
Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).
Xhepës i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.