Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka sqaruar se të dhënat financiare për parregullsitë me programin bujqësor IPARD II të financuar nga BE në Shqipëri, siç janë raportuar në një vlerësim statistikor që shoqëron Raportin Vjetor të Komisionit Evropian 2022 mbi mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian dhe luftën kundër mashtrimit, janë raportuar gabim nga autoritetet shqiptare.
Sipas sqarimit, ”Shumat e larta financiare të raportuara si të parregullta dhe të publikuara në raport janë të pasakta, si pasojë e gabimeve të raportimit nga autoritetet shqiptare në lidhje me përdorimin e monedhës (leku në vend të euros). Shuma e saktë e raportuar nga autoritetet shqiptare për vitin 2022 është, në fakt, 256.321,36 Euro”.
Ky raport i Komisionit Evropian dhe të dhënat që ai përmban lidhen me periudhën raportuese të vitit 2022 dhe i referohen parregullsive të zbuluara dhe të deklaruara nga Agjencia Shqiptare a zbatimit të IPARD.
Sipas delegacionit të BE, ky raport i Komisionit Evropian dhe të dhënat e përfshira në të nuk lidhen me hetimin e kohëve të fundit të OLAF-it për financimin nga programi IPARD II në Shqipëri.
Sipas BE, hetimi i kohëve të fundit i OLAF-it ka përfunduar dhe shërbimet e Komisionit Evropian kanë kontaktuar me autoritetet shqiptare në mënyrë që të mund të marrin një qëndrim. Pasi Komisioni Evropian të marrë një përgjigje nga autoritetet, ai do të vlerësojë nevojën për veprime të mëtejshme. Në lidhje me hetimin e OLAF-it, Komisioni Evropian ka marrë tashmë masa të përkohshme parandaluese që në korrik 2023 për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.