Sport

Nderohen ikonat e qitjes shqiptare ndër vite

Sporti është gjithmonë në vëmendje të Presidentit Ilir Meta, i cili vazhdimisht ka dhënë tituj dhe vlerësime për personalitete të ndryshme. Pas futbollit, ishte radha e qitjes, një sport elitar për shumë vite në vendin tonë. Presidenti Meta ka nderuar së fundi 5 nga ikonat e këtij sporti ndër vite, Elisabeta Karabolli, Diana Mata, Emanuela Kola, Ermira Dingu dhe Lindita Zeqo.

Me titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta ka nderuar Elisabeta Karabollin, me motivacionin “Për profesionalizmin dhe rezultatet e larta cilësore në sportin e qitjes; Shumë e suksesshme dhe me rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”, Diana Matën, me motivacionin “Për rezultatet e shkëlqyera në sportin e qitjes të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare. E dalluar për përkushtimin, pasionin dhe sukseset e spikatura si sportiste dhe trajnere”.

Presidenti Meta dhe ish-qitësja Ermira Dingu. Gazeta Si, 6 nëntor 2020

Me të njëjtin titull janë nderuar edhe Emanuela Kolën, me motivacionin “Për kontributin e njohur si qitëse e talentuar, duke arritur rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Shembull i madh frymëzimi, për të rinjtë e të rejat e këtij sporti me traditë në vendin tonë”, dhe Ermira Dingu, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në sportin e qitjes. Sportiste e talentuar, me rezultate të shkëlqyera të arritura në arenën kombëtare e ndërkombëtare”.

Lindita Zeqo u nderua me titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin “Për kontributin e suksesshëm në sportin e qitjes, si dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

“Shumë i lumtur të nderoj personalitete kaq të shquara të sportit të qitjes, zonjat e nderuara Elisabeta Karabolli, Diana Mata, Emanuela Kola, Ermira Dingu e Lindita Zeqo, të cilat në një periudhë izolimi dhe mjaft të vështirë të Shqipërisë, falë rezultateve të larta, e ngritën flamurin kombëtar mbi flamujt e tjerë në kampionatet Europiane, duke u shndërruar në burim të përhershëm krenarie kombëtare dhe zgjimi vetëbesimi”, – theksoi në fjalën e tij Presidenti Meta.

Qitja i ka sjellë Shqipërisë disa medalje kampioni Europe. Elisabeta Karabolli është shpallur kampione e Europës në vitin 1979 në Gjermani, Ermira Dingu u shpall kampione në vitin 1980 në Spanjë, Emanuela Kola në vitin 1983 dhe Lindita Kodra në vitin 2007 në Spanjë. Presidenti Meta ka vlerësuar kontributin e familjes Mata në sportin e qitjes dhe veçanërisht të Diana Matës, një prej sportisteve simbol dhe tani trajnerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë