Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e datës 25 shkurt 2021 në mes të Tiranës, ku u ekzekutua me armë zjarri Behar Sofia, 66 vjeç, i konsideruar nga policia si "baron i drogës". Policia bën me dije se pas hetimeve të kryera është bërë i mundur identifikimi i një të akuzuari tjetër si bashkëpunëtor në këtë vrasje, shtetasi Bujar Leza, 45 vjeç, banues në Larushk, Krujë, i cili mësohet se kryente rolin e ndërmjetësit mes vrasësit me pagesë porositësve të vrasjes së biznesmenit Sofia.
Bazuar në provat e grumbulluara, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ndërkaq specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë e Policisë në Tiranë kanë bërë ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj këtij shtetasi, në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, ku i akuzuari Leza ndodhet i paraburgosur për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim 45-vjeçarit Bujar Leza, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
LEXO EDHE:
- Vrasja e Behar Sofisë, burg për katër autorët e dyshuar
- Vrasja e Behar Sofisë, Renea zbarkon në Lanë për gjetjen e armës
- Vrasësi me pagesë i Behar Sofisë punëtor sezonal në Mal të Zi. Si u zbulua dhe kush është porositësi
- Detaje nga kamerat e sigurisë/ Vrasësi i biznesmenit Sofia, mesoburrë dhe me fytyrë të mbuluar
- Vrasës me pagesë në Shqipëri, nga 10 mijë euro deri tek kleringu dhe historitë e rekrutimit të tyre në ngjarjet kriminale
Sipas dosjes hetimore, paraditen e 25 shkurtit, sapo 66-vjeçari Behar Sofia ka zbritur nga banesa e tij, është mbajtur në vëzhgim nga Leonard Xhixha, i cili me celular ka lajmëruar Ernejt Shytin për t’u bërë gati për finalizimin e vrasjes.
Goditja është kryer në kohën kur Behar Sofia ka dalë në trotuarin ngjitur Lanës.
23-vjeçari e ka ndjekur nga mbrapa, duke e qëlluar me dy plumba, dhe më pas ka marrë rrugën poshtë urës së Lanës, aty ku një ditë më parë kishte lënë biçikletën, me të cilën u largua drejt kodrave të Liqenit, me destinacion final Terminalin e Autobusëve.
Gjatë largimit nga skena e krimit, autori ka hedhur kapelën, maskën si dhe një bluzë në afërsi të një koshi te mbeturinave.
Këto prova janë gjetur nga policia bashkë me telefonin ne xhepin e bluzës që kishte veshur autori ditën e krimit.
Autori i dyshuar i vrasjes së Sofisë, i identifikuar nga policia shqiptare, është kapur në Podgoricë, Mal të Zi, për t’u ekstraduar menjëherë drejt Shqipërisë.
Sipas hetimeve, Behar Sofia, i cili konsiderohet nga policia si “baron i drogës”, është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE.
Policia dhe Prokuroria është vënie në ndjekje të një grupi shumë të fuqishëm kriminal me të cilin Behar Sofia, edhe pse ishte tërhequr nga aktiviteti kriminal dhe mbante një profil të ulët publik kishte hesape të pambyllura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.