Mentor Kasa – Sa më e vendosur e këmbëngulëse shprehet opozita për ta çuar deri në fund vendimin e saj për të djegur mandatet, për të rrëzuar Edi Ramën, për të ngritur një qeveri tranzitore dhe të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, aq më të fortë dhe të drejtpërdrejtë bëhen zërat e ndërkombëtarëve kundër vendimit të saj.
Mesazhet e para se përballë vendimit ekstrem Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk do të kishin vetëm Edi Ramën dhe mazhorancën, por edhe partnerët ndërkombëtarë, u dhanë fill pas protestës së 16 shkurtit nga përfaqësitë diplomatike në Tiranë. Ambasada Amerikane, ajo Gjermane, Francezja, Britanikja dhe zyra e OSBE-së, u bënë thirrje opozitës që të tërhiqet nga vendimi i saj për djegien e mandateve.
Thirrjet e tyre ranë në vesh të shurdhër dhe më 21 shkurt, PD, LSI dhe aleatët e tyre dorëzuan në grup mandatet. Vendimi ndërkombëtarizoi edhe më shumë kauzën e opozitës, por dështoi që të sigurojë mbështetje në kancelaritë më të zëshme europiane.

Qeveria gjermane nuk ka reaguar zyrtarisht, por tërthorazi. Zëdhënësi i CDU-së, partisë së Angela Merkel, në një intervistë dhënë për Deutsche Welle dënoi aktin e opozitës, e cilësoi atë një gabim të rëndë dhe u bëri thirrje kandidatëve pasues në lista që të mos refuzojnë marrjen e mandatit.
“Zakonisht ka një pasardhës për dikë që lëshon një mandat. Nëse ka njerëz të arsyeshëm që janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë këta duhet të zënë vendet e mbetura bosh. Ky ishte një gabim i rëndë i opozitës”, tha Florian Hahn, zëdhënës i grupit parlamentar të CDU-së.

Ky është reagimi më i drejtpërdrejtë që mbërrin nga Gjermania dhe i zhveshur nga gjuha diplomatike e përdorur nga Ambasada Gjermane në Tiranë. Megjithatë, nuk përjashtohet që në orët e ditët në vazhdim të kemi një deklaratë zyrtare. Burime të shumfishta thonë se Ministria e Jashtme gjermane mund të dalë me një deklaratë, ku veç dënimit të dorëheqjeve të opozitës, të bëjë thirrje edhe për pranimin e mandateve nga ana e kandidatëve që janë në listë.
Njëri prej emrave të listës së kandidatëve që nënkupton shkeljen e vendimit të partisë dhe marrjen e mandatit të deputetit është Ralf Gjoni. Gjoni ndodhet i 11-ti në listën e kandidatëve të LSI-së për deputet në Qarkun e Tiranës dhe me krijimin e vakanceve brenda vijës së emrave që marrin mandat.
“Duhet të jetë e qartë për këdo se mandati është individual dhe për rrjedhojë edhe vendimi mbetet totalisht i imi, në dinjitetin e personit dhe reputacionit që kam ndërtuar, larg kolektivitetit partiak, larg çdo pazari apo presioni, në konsultim të ngushtë me miqtë e mi të shumtë ndërkombëtarë, rrethin tim miqësor e familjar, dhe mbi të gjitha, në shërbim të vendit tim ku 10 vjet më parë vendosa të kthehesha familjarisht”, shkruan Ralf Gjoni.
Një ditë pas këtij postimi, ish-funksionari i lartë i Ministrisë së Jashtme u takua me eurodeputetin Knut Fleckenstein dhe foto nga takimi e postoi po në profilin e tij në Facebook, ku shkruan: “Me mikun tim të mirë Knut Fleckenstein MEP duke diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë, nën diellin e Tiranës që po ndriçon!”
Thirrjet publike për të mos refuzuar marrjen e mandateve i ka bërë edhe Ambasada Amerikane. Ato u morën e u përsëritën edhe nga grupi i shtatë eurodeputetëve që mbërritën të mërkurën në Tiranë me shpresën e bindjes së opozitës për t’u tërhequr nga vendimi i saj. Delegacioni përbëhej nga Tunne Kelam, Cristian Preda, Knut Fleckenstein, Juan Fernando Lopez Aguilar, Bas Belder, Ilhan Kyuchyuk dhe Tamás Meszerics.
Eurodeputetët përfaqësojnë grupet kryesore të së majtës, djathtës dhe qendrës në Parlamentin Europian. Ndasitë ideologjike nuk ishin pengesë në lëshimin e deklaratave në sinkron, ku më i ashpri ishte Tunne Kelam, eurodeputet estonez i të djathtëve, pjesë e Partisë Popullore Europiane, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike dhe njëkohësisht kryesues i këtij delegacioni.
“Parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe ju keni një qeveri legjitime. Mendoj që përqëndrimi te ideja e një qeverie të përkohshme do të dëmtonte përqendrimin që duhet të keni për hapjen e negociatave. Përgatitja për qeshorin do të thotë pajtim dhe unitet kombëtar dhe, siç e thashë, kjo është detyra juaj”, deklaroi ai.
Në takimet me drejtuesit opozitarë, Knut Fleckenstein ishte larguar me shije të hidhur sidomos nga deklarata e Monika Kryemadhit. “Jam zhgënjyer shumë veçanërisht nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila na tha që opozita e ka marrë vendimin dhe nuk ka kthim pas. Presim që deputetët të bëjnë punën e tyre dhe të kthehen në Parlament. Edhe sikur opozita të ketë të drejtë, plotësisht të drejtë, për akuzat, bojkotimi nuk zgjidh asgjë”, tha Fleckenstein.
Përballë murit të ngritur nga opozita dhe me parimin ‘të shpëtohet ç’të mundet’ eurodeputetët thanë se ky Parlament duhet të vazhdojë punën dhe ashtu si zëdhënësi i CDU-së gjermane Florian Hahn, u bënë thirrje kandidatëve zëvendësues që të mos refuzojnë mandatet.
Kjo ishte thirrja publike, por jashtë mediave dhe vëmendjes së publikut mësohet se ndërkombëtarët kanë nisur prej disa ditësh kontaktet me kandidatët nga listat e PD-së dhe LSI-së. Ajo që kërkohet është e qartë; marrja e mandateve të dorëzuara nga Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe të tjerët.
E gjitha kjo i ka vendosur kandidatët mes dy zjarreve; në njërën anë është presioni i ndërkombëtarëve për të mos refuzuar mandatet, nga ana tjetër presioni i kryetarëve dhe drejtuesve të tjerë të partisë për refuzimin e tyre.
Gazeta “Si” kontaktoi përmes telefonit me një grup të madh të emrave që zëvendësojnë dorëheqjet në radhët e PD-së dhe LSI-së. Pjesa më e madhe e tyre thonë se do t’i mbeten besnik vendimit të kryetarëve dhe forumeve të partive dhe do të refuzojnë mandatet. Por, ka një pjesë goxha të konsiderueshme, që mbetet ende e dyzuar dhe që thonë se do të vendosin në ditët e javët në vazhdim “në interesin më të mirë të vendit”.
Nën presion të madh nuk janë vetëm emrat pasues në listat e kandidatëve për deputetë sipas qarqeve të zgjedhjeve të qershorit 2017, por edhe vetë Lulzim Basha e Monika Kryemadhi. Ata tashmë ndodhen mes presionit të mbështetësve për ta çuar deri në fund rrugën e nisur dhe atij të ndërkombëtarëve për t’u tërhequr.

Deri më tani udhëheqësit opozitarë i kanë rezistuar presionit të ndërkombëtarëve, por mbetet për t’u parë se ç’do të ndodhë në vazhdim, pasi gjasat janë që dozat e presionit të partnerëve të shtohen, duke mos përjashtuar edhe vizitat e ngjashme si ajo e Brian Hoyt Yee në maj të 2017. Diplomati amerikan, i njohur me nofkën “buldozeri”, mbërriti në Tiranë më 15 maj 2017, kur Partia Demokratike ishte ende në çadër. Ajo nuk kishte hequr dorë nga mandatet, por tensioni politik ishte po kaq i lartë. Dy ditë pas vizitës, pra më 17 maj 2017, Rama dhe Basha gjetën gjuhën e përbashkët dhe nënshkruan një marrëveshje, që shpëtoi zgjedhjet e qershorit dhe nxorri PD-në nga çadra.
“Buldozeri” Hoyt Brian Yee nuk është më në Zyrën për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, që mbulon edhe Ballkanin në Departamentin e Shtetit. Ai u dorëhoq në fillim të këtij viti.

Në vend të tij u vendos Philip Reeker, po aq “buldozer”, kur flitet për Ballkanin dhe Europën Lindore. I rikthyer në këtë post, që e ka mbajtur edhe më herët, Reeker është njohës i mirë i rajonit tonë, ku ka shërbyer si ambasador dhe ndërmjetësues në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në fund të viteve ’90. Sa i takon Shqipërisë, Reeker ka vizituar vendin tonë me statusin që mban aktualisht në shtator të 2012. A do të rikthehet?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




