Gazeta Si – Dy helikopterë zjarrfikës të tipit Canadair CL-415 të Forcave Zjarrfikëse të Greqisë po asistojnë në operacionin për shuarjen e zjarreve masive në Dropull dhe Finiq në jug të vendit.
Lajmi konfirmohet nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili thotë se avionët grekë vijnë si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave tona të Armatosura.
Ai ka shprehur falënderime për Greqinë dhe Kroacinë, të cilat kanë shprehur gatishmëri dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për të punuar në fikjen e vatrave të zjarrit në Finiq dhe Dropull.
“Dy avionë të tipit #Canadair sapo nisën ndërhyrjen nga ajri për fikjen e flakëve në #Dropull dhe #Finiq. Avionët grekë, vijnë si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave tona të Armatosura, zjarrëfikësve, punonjësve të emergjencave civile dhe strukturave vendore që prej 2 ditësh po luftojnë me flakët atje. Mirënjohje për gatishmërinë e treguar për të sjellë mjete ajrore edhe qeverisë italiane dhe asaj kroate.”, shkruan ministri në Facebook.
Një ditë më parë. dy efektivë të forcave zjarrfikëse, janë lënduar gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në Dropull. Ata kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës.
Njëri prej zjarrfikësve ka djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa tjetri probleme si shkak i asfiksisë nga tymi. Aktualisht gjendja shëndetësore e tyre është e stabilizuar dhe ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.