Nga Gazeta ‘SI’ – Konfederata e industrive të Shqipërisë ka reaguar pozitivisht ndaj propozimit të kryeministrit Edi Rama, për të ndërhyrë në tregun e karburanteve.
Pak ditë më parë, kreu i qeverisë tha se është e nevojshme të ndërhyhet në skemën e naftës për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët.
Konfindustria kërkon që qeveria të sqarojë si do të kryhet ndërhyrja teksa rikujton se çdo nismë e mëparshme ka dështuar përshkak të asaj që e quan “kapje e shtetit” nga lobimet e kompanive të karburanteve.
“Konfindustria ripërsërit vlerësimin e saj, se çmimet e larta të karburanteve, janë ndër shkaqet kryesore të shkatërrimit të industrive dhe bujqësisë shqiptare. Në 3 mujorin e parë të vitit 2025 prodhimi industrial ka rënë sërish me mbi 7% dhe bujqësia me mbi 5%. Defiçiti tregtar në vitin 2024 arriti rekordin historik në 5,4 miliard euro. Karburantet sot në Shqipëri tregëtohen 35-40% më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Maili i Zi, Bosnje Herzegovinë, etj. Tregu i karburanteve është më i madhi në Shqipëri me të paktën 2 miliard $/vit”, thuhet në njoftimin e Konfindustrisë.
Konfederata ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të tregut të hidrokarbureve në vend duke e cilësuar atë si një “kartel” me çmime të larta dhe cilësi të dobët.
Ndër të tjera, Konfindustria përsërit propozimet e saj për një Ent Rregullator të Karburenateve, ulje të ngarkesës fiskale dhe goditje të kontrabandës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.