Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi shtrëngimin e masave duke nisur nga dita e nesërme. Kufizimi i lëvizjes nis nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit dhe kjo fashë do të vlejë edhe për aktivitetin e bizneseve për 14 ditët në vijim, ndërsa shkollat e mesme në zonat e kuqe kthehen online.
Masat e vendosura sot:
– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online në zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.
Ndërkaq, drejtoresha e ISHP, Albana Fico shpjegoi se incidenca dhe përhapja e COVID-19 në javën e fundit është rritur ndjeshëm. Ajo tha se me rritjen e rasteve ka vijuar edhe rritja e shtrimeve në spitale. Sipas saj është rritur pozitiviteti i mostrave.
“77% e kapaciteteve në spitalet COVID janë të zëna. Incidenca është më e lartë dhe përhapja është më e madhe. Mesatarja e javës është rritur në 1 mijë e 30. Të dhënat tregojnë rritje edhe moshat 15-24, 25-34, pavarësisht faktit që janë shtuar edhe testimet, ndërsa ka sinjale nga laboratori i ISHP se qarkullojnë edhe mutacione të tjera. Këtë javë kemi shtim të infeksioneve respiratorë që shkojnë paralelisht me sezonin e dimrit. Mosha mesatare në spitale është ulur. Ne po testojmë njëherazi për gripin sezonal. Sot në këtë javë ne jemi në një tjetër etapë në situatën e epidemiologjisë dhe infeksioneve respiratore” shtoi Fico.
Në vijimësi të pyetjeve të gazetarëve Fico ka shpjeguar gjithashtu se vazhdimisht po analizohen mostrat e reja për të identifikuar variantet që qarkullojnë.
Ndërsa Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP, Silva Bino, ka shpjeguar se janë dërguar 50 mostra për t’u analizuar në laboratorin e Berlinit dhe ende nuk ka një përgjigje nga kolegët atje.
“Ne kemi marrë sinjale laboratorike dhe kemi qenë tepër të kujdesshëm që të veçojmë mostrat që janë të ndryshme nga mostrat laboratorike. Ky është një proces për të bërë rikualifikimin e tyre,” shtoi Bino, ndërsa tha se së shpejti do të kemi metodologjinë për të identifikuar variantet e reja, që do të na vijë nga Turqia.
Minsitrja Manastirliu shtoi gjithashtu se nuk do të ketë aspak tolerancë në zbatimin e masave, në mënyrë që të ndërpritet zinxhiri i infeksionit.
Ndërsa shefja e Infektivit, Najada Como shpjegoi se respektimi i masave është më se i nevojshëm, sepse ka të rinj në gjendje të rëndë të cilët nuk kanë pasur sëmundje të më pashme.
“Kemi shtim të rasteve në spitale, është shtuar numri i moshave të reja në spital forma të rënda, shoqëruar edhe me humbje jete. Fluksi është i përballueshëm, por i shtuar ndaj bëj thirrje se marrja e masave është e detyruar për të mbrojtur popullatën. Është shtuar numri i pacientëve në terapi intensive,” shpjegoi Çomo, duke bërë thirrje edhe për qytetarët që të jenë të kujdesshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.