Libra

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur, Wilbur Smith

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare shkrimtari i njohur, Wilbur Smith. Lajmi u dha nga zyra e tij, sipas të cilës autori i shumë veprave, ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Afrikën e Jugut të shtunën, pas një karriere dekadash të gjatë në krijimtari.

“Autori më i shitur global Wilbur Smith vdiq papritur këtë pasdite në shtëpinë e tij në Cape Town pas një mëngjesi leximi dhe shkrimi me gruan e tij Niso pranë tij”, thuhet nw deklaratën e publikuar në faqen e internetit “Wilbur Smith Books”, si dhe nga botuesit e tij Bonnier Books.

Cikli “Courtney”

Smith ishte një mjeshtër i shkrimit të aventurës, duke shitur mbi 140 milionë kopje në mbarë botën. Librat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë. Seria e tij më e shitur është “Courtney”, më i gjati në historinë e botimeve, ku ai rrëfen peripecitë e familjes Courtney që përfshin breza dhe tre shekuj, nga Afrika koloniale deri te lufta civile amerikane dhe epoka e aparteidit në Afrikën e Jugut.

Smith është i njohur edhe për serinw egjiptiane me heroin Taita. “River God” mbetet ende një nga librat e tij më të njohur sot. Në 49 romanet e tij të botuar, ai e transportoi lexuesin në minierat e arit në Afrikën e Jugut, lidhur me piraterinë në Oqeanin Indian, thesaret e varrosura në ishujt tropikalë, konfliktin në Arabi dhe Khartoum, Egjiptin e lashtë, Gjermaninë dhe Parisin në Luftën e Dytë Botërore, por edhe India, Amerika dhe Antarktiku.

Një autor bestseller

Romani i parë i Wilbur Smith-it “When the Lion Feeds”, botuar në vitin 1964, “ishte një bestseller i menjëhershëm dhe secili prej romaneve të tij të mëvonshëm, u shfaq në listat e bestsellerëve, shpesh në vendin e parë, duke i dhënë të gjithë autorëve mundësinë për të udhëtuar larg e gjerë në kërkim të frymëzimit dhe aventurës”, thuhet në shënimin ku njoftohet për vdekjen e tij.

Ai është përkthyer në mbi 30 gjuhë dhe disa prej librave të tij janë bërë edhe filma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë