Libra

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur, Naum Prifti

Shuhet në moshën 91-vjeçare shkrimtari Naum Prifti. Shkrimtari mësohet se është ndarë nga jeta në SHBA, ku jetonte prej vitesh.

Naum Prifti, novelisti, tregimtari, dramaturgu, skenaristi, kritiku, fabulisti, qëmtuesi i folklorit dhe mjeshtri i shqipërimit, është një nga këto figura shumëdimensionale, që u rezistoi me dinjitet viteve të diktaturës dhe gjeti vendin e tij edhe pas saj.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj.

Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime e biseda.

Disa nga veprat e tij më të njohura janë “Njerëz të kësaj toke”, Erë mali, erë fushe”, Grirja e shpirtit” etj.

Naum Prifti u lind në Rehovë të Kolonjës, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë.

Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (New York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar atje dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendtë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë