Një lajm shumë i trishtë për artin shqiptar vjen nga matanë Atlantikut. Mesditën e kësaj të enjteje është shuar në moshën 89-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej vitesh me familjen, një nga personalitetet më të shquara në historinë e Teatrit shqiptar, Pirro Mani.
Pirro Mani lindi në Korçë më 14 prill 1932 për t’u shquar si një prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar, si regjisor dhe aktor.
Një nga personazhet më të njohur që ai ka skalitur përjetësisht në memorien e shqiptarëve është ai i “ballistit Sali Protopapa” në filmin “I teti në bronz”.

Për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur, menjëherë ka reaguar Teatri Kombëtar, duke shprehur ngushëllimet për këtë humbje të madhe për komunitetin artistik.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të regjisorit të madh, ikonës së teatrit shqiptar, Pirro Mani! Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen dhe të afërmit e tij. Qëndrojmë pranë tyre në këtë fatkeqësi të madhe, që i përket të gjithë komunitetit artistik. U prehsh në paqe mjeshtër”, thuhet në reagimin e Teatrit Kombëtar.
Edhe kryeministri Edi Rama shpreh ngushëllime për largimin nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur, Pirro Mani. Rama shkruan në “Facebook” se Mani ishte ustai i madh i skenës kombëtare teatrore dhe pa të kultura dhe historia e artit skenik shqiptar do të ishin shumë më të varfër.
“LAMTUMIRË USTA! Pirro Mani ishte ustai i madh i skenës kombëtare teatrore. Pa të kultura dhe historia e artit skenik shqiptar do të ishin shumë më të varfër. U prehtë në paqe dhe ngushëllime familjes”, shkruan Rama.
Kush ishte Pirro Mani
Pirro Mani punoi për 25 vjet në Teatrin Kombëtar dhe do ta linte teatrin shqiptar pas viteve ‘90, atëherë kur ndryshimi i sistemit solli dhe një kaos social e kulturor.
Me emocion dhe mall regjisori i njohur, Piro Mani do të rikthehej pas 15 vitesh mungesë në Teatrin Kombëtar, ku aktorë dhe regjisorë të brezave të ndryshëm do ta prisnin me duartrokitje dhe nderim mjeshtrin e skenës.
Pirro Mani i përket asaj plejade artistësh shqiptarë që studiuan në Moskë, në Institutin Shtetëror të Artit Teatror Gitis. Karrierën si regjisor e nisi në Teatrin e qytetit të tij të lindjes Korçë, ku punoi rreth 8 vjet. Në Teatrin Kombëtar ai erdhi për herë të parë në vitin 1967, ku spikati menjëherë për talentin dhe forcën me të cilën e shihte teatrin.
Rreth 80 vepra artistike mbajnë firmën e tij regjisoriale. Ndërkohë, si pedagog ai ka dhënë kontribut në daljen e një sërë brezash artistësh që bëjnë sot teatër.
Ndër veprat e tij mund të përmendim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Kinemaja ka qenë një tjetër stacion në jetën e tij. Roli i tij i fundit ka qenë në filmin “Barbarët” me regji të Liri Begesë.
Pirro Mani ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jetonte në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.