Një tjetër emër i njohur i gjuhës dhe letërsisë shqipe u nda nga jeta.
Poeti dhe studiuesi i njohur, Agim Shehu është shuar në moshën 89-vjeçare në Gjenevë të Zvicrës, ku jetonte e punonte.
Prej vitesh, ai ka dhënë që andej kontribut për artin e kulturën shqipe.
Lajmi i ndarjes nga jeta të shkrimtarit është dhënë nga familjarët e tij nga kolegë e miq kanë reaguar me pikëllim për humbjen e tij.
Agim Shehu është shkrimtar dhe studiues i gjuhës shqipe. Shehu njihet si autor i disa këngëve, ndërsa ka shkruar disa nga veprat:
“Horizonti i kaltërt”, “Vite pa thinja”, “Fjalë nga zemra”, “Gurra e fjalës”, “Zëri i gjakut”, “Poezi” dhe “Ujvarat e diellit”.
Kush është Agim Shehu
Agim Shehu ka lindur më 10 janar 1934 në fshatin malor Progonat të Kurveleshit (Tepelenë) nga një familje e njohur për atdhetarizëm. Në Tiranë mbaron Universitetin për Gjuhë-Letërsi dhe emërohet mësues në gjimnazin e Gjirokastër ku vazhdon për 13 vjet.
Agim Shehu shquhet si poet me botimin e vëllimit të parë poetik si dhe për publicistikë, dhe e marrin redaktor për kulturën në gazetën “Zëri i Popullit”. Atij do t’i hiqej e drejta e botimit për ca kohë për cështje ideologjike.
I përmendet si “shqiptaro-madh” dhe poezia për Kosovën kur qe në Gjakovë për Ditët e Poezisë më 1971, sidomos vargjet që bënin thirrje tërthoraz për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, kundër ideologjisë komuniste në fuqi: “Kosovë e bukur, gjak i fryrë/, çdo hap i hedhur-drithërime!/ Erdha dhe mbeta: kisha hyrë/ në vëndin bosh të zemrës sime” (botuar më 1973 në Drita). Kthehet nga dënimi e vazhdon mësues.
Me ardhjen e demokracisë, ai do të bëhej iniciator i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pavarur kryesisht me të persekutuar. Po ashtu, kryeson Shoqatën Atdhetare e Kulturore “Labëria” duke nxjerrë dhe shtypin e tyre. Shkruan me energji të pashterur kryesisht për çështjen kombëtare dhe demokracinë e pastër që po mbante ende gjallë komunizmin e fshehur e sigurimin, godet me vendosmëri e në vazhdimësi shovinizmin grek e sllav. Ngre vazhdimisht fatin e Kosovës e Çamërisë… Kërcënohet hapur e fshehur me vdekje. Më pas do tyë transferohej në Zvicër ku merr azil politik familjarisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.