Art dhe Kulture

Ndahet nga jeta piktori i njohur korçar, Sotiraq Xega

Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare piktori i njohur korçar, Sotiraq Xega.

Ai është cilësuar si një prej piktorëve më të mirë të peizazhit.

Me më shumë se 35 ekspozita vetjake, pjesën më të madhe të punimeve të tij, ai i kishte në gjininë e peizazhit.

Drenovari Sotiraq Xega kohët e fundit ekspozitat e tij i kishte çelur në natyrë, pasi ia kishin ndaluar të bënte një gjë të tillë në mjedise ku ekspozonin dhe piktorë të tjerë.

Ekspozita e fundit e Xegës ka qenë ajo e manave të Drenovës, ekspozitë të cilën do ta paraqiste për miqtë kryesisht, në një prej rrugicave të fshatit të njohur turistik.

Vitet e fundit, Xega spikati me ekspozitën “Çfarë ka qytetari i Korçës pas shpine”, duke u kujtuar bashkëqytetarëve të tij madhështinë e malit të Moravës.

Autori përdori teknikën e tempera-s dhe akuarelit për të sjellë bukuritë e këtij mali, që siç do të shprehej vetë ai, “janë sjellë me dimensione të vogla, por me një larmi të madhe ngjyrash”.

Sotiraq Xega ka marrë pjesë me punimet e tij në një sërë aktivitetesh, në nivel lokal dhe kombëtar.

Përpos ekspozitave të shumta që e kanë bërë Xegën një prej mjeshtërve të peizazhit, emri i tij lidhet edhe me pikturat e vjedhura të piktorit të madh, Vangjush Mio, piktura që u zhduken nga Galeria e Arteve të Korçës. Por Gjykata e Korçës pushoi çështjen ndaj Sotiraq Xegës, në atë kohë drejtori i Galerisë së Arteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë