Njerez

Ndahet nga jeta nobelisti Mario Vargas Llosa i cili shkroi për Kosovën gjatë luftës

Nga Gazeta “Si” – Shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa është shuar sot në moshën 89 vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga djali i tij, Álvaro Vargas Llosa, i cili njoftoi se shkrimtari ka ndërruar jetë në paqe, i rrethuar nga familja e tij. Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë latinoamerikane dhe një nga autorët kryesorë të “Boom”-it latinoamerikan, një lëvizje letrare që shpërtheu në vitet 1960 dhe 1970. Ai u nderua me çmimin Nobel në vitin 2010.

Vargas Llosa për Kosovën.

Në esetë që publikoi në mediat spanjolle e të cilat i përzgjodhi ekskluzivisht për botimin në gjuhën shqipe me titullin “Çështja e Kosovës” Vargas Llosa u shfaq si një mbështetës i zjarrtë i shqiptarëve të Kosovës dhe si një intelektual që ndërgjegjësoi të huajt për përkrahjen e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

 “Nëse NATO-ja nuk e fiton këtë luftë dy milionë kosovarë humbin vendin e tyre, shtëpitë e tyre, tokat e tyre dhe shumica jetën e tyre. Kjo bindje shumë prej nesh na bën, jo pa frikë e dyshime, ta mbështesim ndërhyrjen”, thotë Vargas Llosa në esenë “Zjarrmitë pacifiste”, të botuar në librin “Çështja e Kosovës”, të botuar këto ditë në gjuhën shqipe. “Konflikti aktual i Kosovës filloi dhjetë vjet më parë, kur Millosheviqi, për ta arritur pushtetin absolut në Jugosllavi, shfuqizoi autonominë e Kosovës dhe nxiti fushatën nacionaliste në favor të Serbisë së Madhe, që rezultoi me shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë, me masakrat dhe copëzimet pasuese të Bosnjës.

Edhe pse jo i vetmi, regjimi i Millosheviqit ka qenë përgjegjësi kryesor për tragjedinë kosovare. Shumë nga ne që e mbështetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e bëmë sepse kemi qenë të bindur që objektivi i saj ishte ndalimi i shfarosjes së shqiptaro-kosovarëve përmes likuidimit të regjimit diktatorial të Millosheviqit dhe instalimi i demokracisë në Jugosllavi, që do të thotë një regjim i ligjshmërisë dhe lirisë që në kuadrin e marrëveshjeve të Rambujesë të negocionte me kosovarët, një sistem bashkekzistimi ose pavarësie, që do të sillte paqe në rajon”, shkruante  Llosa në një nga esetë e tij, pjesë e librit.

Disa libra të tij si “Kohë të këqija”, “Shtëpia e gjëlbër” dhe “Festa e Cjapit” janë përkthyer dhe në shqip.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë