Gazeta Si – Legjenda e televizionit dhe gazetarisë italiane, Pippo Baudo, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare mbrëmjen e të shtunës.
Simboli i televizionit italian i cili ka prezantuar 13 festivale të Sanremo dhe dhjetëra programe të suksesshme nga “Canzonissima” te “Domenica in” u nda nga jeta mbrëmjen e së shtunës në Romë.
Giuseppe Raimondo Vittorio Baudo, i cili njihej thjesht si Pippo ishte “zotëria” i televizionit italian. Mjeshtri i prezantuesve televizivë. Autor programesh, zbulues artistësh, këngëtarësh, aktorësh. Një njeri spektakli, ‘showman’, autor, aktor, orator, një multidimensional.
Pippo Baudo punoi për televizionin publik thuajse përgjatë gjithë karrierës së tij. Siç ka rrëfyer shpesh, i ati, i cili i kishte dhënë një periudhë kohe për të provuar atë rrugë me premtimin që më pas të kthehej në Siçili dhe të vazhdonte si avokat sipas dëshirës së tij, nëse nuk do t’ia dilte. Edhe për këtë, kishte marrë diplomën e juridikut. Nëse nuk do t’ia dilte brenda 90-ditëve, e priste toga të cilën nuk e veshi kurrë.
Debutoi me “Guida agli emigranti”, më pas me “Telecruciverba” dhe programe të tjera, por pika e kthesës ishte 6 shkurti 1966 kur RAI transmetoi episodin pilot të “Settevoci” që fillimisht ishte refuzuar. Nga ai moment, vijoi një sukses i paparashikuar që pasoi të dielat e mëvonshme dhe të viteve që rrodhën duke vendosur nën dritat e prozhektorëve siçilianin me xhaketa ekstravagante.
I kudogjendur dhe i ditur, me një kulturë të gjerë që tejkalonte televizionin, Pippo Baudo u gjend në çdo epokë të tijën: në epokën e një kanali të vetëm, bardhezi, mbërritja e programit të dytë, revolucioni i ngjyrave, televizioni privat dhe digjital.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



