Njerez

Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare primabalerina Sekine Sharofi

Sekine Sharofi, primabalerina legjendare e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, është ndarë nga jeta të hënën e 21 gushtit.

Janë të shumtë dashamirësit e saj që e kujtojnë si një vajzë të mahnitshme dhe një kërcimtare të disiplinuar me një temperament të shkëlqyer, që tërhiqte publikun artdashës me figurat e saj.

Solistja e kërcimit klasik lindi më 4 mars të vitit 1938. Emri i saj identifikohet me skenën e Baletit Shqiptar.

Sharofi ka hyrë në historinë e kërcimit klasik si soliste, si prima dona me një shkëlqim marramendës që nuk harrohet kurrë.

Ajo është cilësuar brilante në mënyrën se si interpretoi veprat më të rëndësishme të repertorit.

Ndër to “Laurencia” nga Alexandër Krein, “Zhurale” nga Farid Jaruli, “Para stuhisë” nga Çesk Zadeja, “ Halili dhe Hajria” nga Tish Daija, “Lola” nga Marat Gaziev, “Delina” nga Çesk Zadeja, “Fadeta” nga Leo Delibes, “Cuca e maleve” nga Nikolla Zoraqi, “Shota dhe Azem Galica” nga Nikolla Zoraqi, “Petja dhe ujku” nga Sergei Prokofiev, “Kujdesi i kotë” nga Hertel, Rapsodia koreografike “Historia e një këngë” nga Nikolla Zoraqi, “Sheherezada” nga N. Rimskij Korsakov dhe të tjera.

Sekine do të mbetet përgjithmonë në plejadën e artë të artistëve shqiptarë.

Brezat më të vjetër do ta kujtojnë gjithmonë me atë buzëqeshjen që vetëm ajo dinte t’ia dhuronte publikut shqiptar në një kohë kur gjithë Shqipëria ishte bardhezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë